FSHF zhvillon seleksionimin e dytë me futbollistët e rinj shqiptarë në SHBA dhe Kanada
Federata Shqiptare e Futbollit organizoi për të dytin vit radhazi një seleksionim dy ditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me futbollistët e rinj shqiptarë të cilët jetojnë në SHBA dhe Kanada.
Interesimi ka qenë i madh për këtë seleksionim që u zhvillua në kompleksin “Hudson Sports Complex”, Uoruik, Nju Jork u testuan rreth 130 futbollistë të vitlindjeve 2007 – 2008 – 2009 – 2010 – 2011 – 2012 djem e vajza.
Për tre muaj me radhë Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF në bashkëpunim me Drejtorinë Teknike dhe skautët e FSHF në SHBA kanë punuar përmes aplikimeve për të përpiluar listat e lojtarëve që kishin aplikuar për të marrë pjesë në këtë seleksionim.
Grupi organizator që udhëhoqi këtë stazh stërvitor përbëhej nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, ndihmës trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli.
Në ditën e parë të seleksionimit janë testuar të gjithë futbollistët përmes seancave stërvitore dhe ndeshjet e kontrollit, teksa lojtarët me origjinë shqiptare ju bashkuan seleksionimit nga të gjitha shtetet e SHBA-së, madje edhe nga Çikago, Florida, Toronto, Montreal, Kaliforni apo Miçigan.
Ndërsa në ditën e dytë u zhvillua një ndeshje miqësore me lojtarët e spikatur nga seleksionimi i kaluar dhe ai aktual ndaj ekipit FC Westchester U-17.
Përshtypjet e stafit për lojtarët kanë qenë mjaft pozitive dhe Departamenti i Ekipeve Kombëtare ka mbledhur tashmë të gjitha dhënat e nevojshme dhe ka përpiluar listat me emrat e futbollistëve, të cilët do të mbahen në vëzhgim të vazhdueshëm.
Nisma e ndërmarrë nga FSHF-së vjen si rrjedhojë e kërkesave të komunitetit shqiptar në SHBA dhe rritjes së numrit të lojtarëve të perspektivës që jetojnë atje, djem e vajza, të cilët duan të provojnë shanset për të luajtur me ekipet Kombëtare të Shqipërisë.