Flick, para ndeshjes me Benfican: Duam kualifikimin direkt, Di Marian e kam lojtar të preferuar
Pas barazimit 1-1 kundër Getafes gjatë fundjavës, Barcelona do të synojë një reagim të fortë ndaj Benfica-s në ndeshjen e parafundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve 2024/25.
“Blaugranat” aktualisht janë të dyti në tabelën e Ligës së Kampionëve dhe një fitore tjetër nesër do t’i garantonte pothuajse vendin mes tetë ekipeve më të mira dhe kualifikimin direkt në fazën tjetër.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, foli për rëndësinë e një fitoreje nesër, si dhe reflektoi mbi formën e dobët të ekipit në La Liga.
Për ndeshjen e nesërme dhe Benfica-n: "Objektivi ynë është të fitojmë ndeshjen e nesërme. Do të ishte një hap i madh për renditjen dhe për të përfunduar mes tetë të parëve.
Benfica është një ekip që luan shumë mirë, Di Maria është një nga lojtarët e mi të preferuar. Është kënaqësi t’i shohësh ata të luajnë."
Për Di Marian: “Ai është një lojtar i klasit të parë. Ka qenë gjithmonë në një nivel të shkëlqyer gjatë viteve. Është fantastik dhe është kënaqësi ta shohësh të luajë."
Favoritët e Championsit: "Për momentin, po shoh Liverpool-in.
Çdo ndeshje ata e luajnë shumë mirë, po bëjnë një punë të shkëlqyer. Është një nga ekipet e mia të preferuara."
Për formën e Barcelonës në La Liga: "Gjithçka që mund të them është se do të luftojmë për titullin dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund gjatë muajve të ardhshëm."