“Final 4”, Skënderbeu mund Vllazninë dhe siguron vendin e tretë në renditje
Skënderbeu fitoi sot finalen e vogël të “Final 4” ndaj Vllaznisë, duke siguruar vendin e tretë në renditje. Korçarët triumfuan në stadiumin “Air Albania” me rezultatin 3-2.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Skënderbeun që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 11-të me Nikajn.
Më pas ishte radha e Liços, që realizoi edhe golin e dytë në minutën e 16-të. Korçarët nuk e ndalën hapin dhe shënuan edhe golin e tretë në minutën e 31-të me Rashicën, i cili u tregua i saktë i vetëm përballë portierit.
Vllaznia ngushtoi rezultatin me Malën në minutën e 42-të falë një 11-metërshi. Pjesa e parë u mbyll 3-1.
Në fraksionin e dytë Vllaznia ishte më kërkuese dhe fitoi sërish një 11-metërsh. Nga pika e bardhë Bekim Balaj u tregua i saktë dhe shënoi golin e dytë në minutën e 81-të. Më pas shkodranët mbetën me 10 lojtarë, pasi Stojanovic u largua me karton të kuq.
Deri në fund Skënderbeu mbrojti fitoren duke siguruar edhe vendin e tretë në renditje ndërsa Vllaznia e mbyll sezonin në vendin e katërt.