EURO 2020, zhgënjen Spanja në start. Vetëm 0-0 ndaj Suedisë

EURO 2020, zhgënjen Spanja në start. Vetëm 0-0 ndaj Suedisë

Grupi E mund të quhet deri tani si ai i surprizave në Kampionatin Europian. Pas Sllovakisë qê mposhti Poloninë, është Suedia që bëhet mur dhe arrin të marrë një barazim ndaj favoritëve të Spanjës nê "La Cartuja".

Skuadra e Luis Enriques krijoi shumë, shpërdoroi por edhe mund ta kishte pësuar dhe ndoshta barazimi ishte rezultati më i drejtë.

Si gjithmonë Spanja ka stilin e saj të lojës me qarkullim dhe dominim në fushë dhe kështu ndodh teksa Suedia e gjitha në mbrojtje përpiqet të godasë në kundërsulm.

Rasti i parë i pastër për të shënuar vjen në 16' kur Dani Olmo me kokë pas nje krosimi gjuan dhe Olsen mrekullisht heq topin.

Në 23', Koke me një gjuajtje pranë zonës nuk shënjestron kuadratin por në 38' Morata humbet një gol thuajse të sigurt ku i vetëm përballë portierit e nxjerr topin jashtë.

Pjesa e dytë është më e kujdesshme dhe Suedia shton presionin dhe në 61', Berg ha një gol të bërë kur gjuan topin jashtë duke qenë pak centimetra larg vijës fatale.

Luis Enrique provon të ndryshojë gjithçka kur zëvendëson që të tre sulmuesit përpara, Torres, Morata e Dani Olmo me Oyarzabal, Moreno dhe Sarabia.

As kjo lëvizje nuk shërbeu pasi asnjë rast i pastër shënimi nuk u krijua dhe barazimi me Suedinë duhet t'i shërbejë Spanjës si një këmbanë për të korrigjuar problemet me sulmin.

EMISIONET