Çerekfinalet e Kupës, Vllaznia fiton të parën, Laçi barazon me Egnatian

Kupa e Shqipërisë ka zhvilluar dy ndeshjet e para çerekfinale. Faza është me eliminim direkt por me ndeshje system vajtje-ardhje dhe sot Vllaznia ka bërë një hap të madh drejt kalimit në gjysmëfinale.
Në duelin ndaj Flamurtarit në Vlorë në një stadium me pak tifozë të pranishëm, skuadra e Brdariç arriti të fitonte 2-1 duke prekur pothuajse kalimin për më tej.
Shkodranët kaluan menjëherë në avantazh në 25’ me Mustedanagiç teksa loja ishte e hapur.
Në pjesën e dytë, ishte sërish Zinedin Mustedanagiç që dyfishoi rezultatin në 61’ për të futur në kasafortë fitoren teksa në 75’ Oliveira shkurtoi diferencën për vlonjatët. Sfida mbyllet 2-1 për Vllazninë e cila ka një avantazh të madh para sfidës së kthimit.
Ndërkohë në Rrogozhinë dy ekipe të Superiores, Egnatia dhe Laçi luftuan në çerekfinalen e pare të Kupës e në fund nuk pati fitues.
1-1 përfundoi ndeshja në “Egnatia Arena” me kurbinasit që realizuan të parët në 17’ me Julian Shehun.
Nuk vonoi shumë edhe reagimi i vendasve të cilët pas vetëm 5 minutash vendosin barazpeshën me Demir Imerin ndërsa pjesa tjetër e ndeshjes nuk prodhoi gola.
Nuk munguan në fakt rastet por të dyja ekipet më pas iu frikësuan dhe një goli tjetër që mund të kompromentonte kualifikimin duke lënë llogaritë e hapura për ndeshjen e dytë./Ora News/.