“Erdhën për Hykën dhe më ftuan mua”. Kukeli i tregon gjithçka për Shqipërinë: Adrenalina dhe çudia e Beogradit

Mesfushori Burim Kukeli gjatë një interviste në “Ora Neës” me moderatorin Drilon Xhepollari, ka folur për rrugëtimin e tij, nga ardhja e parë te Kombëtarja, te ndeshja e Beogradit dhe suksesi i Shqipërisë në Euro 2016.

Kukeli tregoi se si u bë pjesë e Kombëtares. “Erdhën për Hykën dhe më ftuan mua”, tha ai.

Burim Kukeli: "Unë luaja me Jahmir Hykën te Luzerna. De Biazi erdhi në stadium për të parë Hykën, mua nuk më njihte. Në atë ndeshje unë luajta titullar dhe i pëlqeva shumë trajnerit. Biseduam menjëherë pas ndeshjes dhe pas dy muajsh më thërret menjëherë në telefon nëse mund të vija te Shqipëria. I thashë po, me shumë krenari."

Përsa i përket ndeshjes në Beograd tha se për të ka qenë adrenalinë e madhe. Sipas tij në fillim atmosfera dukej e frikshme, por pastaj thotë se u adaptuan lehtë.

Burim Kukeli: Ka qenë skandal i madh, ne lojtarët bashkë me stafin e FSHF kemi qenë 60 persona të gjithë, ishim në dorën e serbëve. Ka qenë adrenalinë e madhe. Në fillim atmosfera dukej e frikshme, por pastaj u adaptuam shumë lehtë, çuditërisht. Kur i shikoj ndonjëherë pamjet në Youtube dhe përsëritje, nuk e besoj dot se në çfarë rreziku kemi qenë dhe sa e lehtë e kemi marrë kur ishim aty në fushë, pasi u adapotuam lehtë edhe me atë atmosferë.

Suksesi i Shqipërisë në Europian për Kukelin është treguesi më i mirë se ku mund të arrish nëse je grup i bashkuar.

Burim Kukeli: Është treguesi më i mirë se ku mund të arrish nëse je grup i bashkuar. Ne nuk kishim asnjë yll në skuadër dhe sa larg që arritëm. Merita kujt i takon për atë kualifikim? I takon FSHF në fillim që zgjodhi De Biazin, nuk i besoi pak, por i besoi 5 vite. Merita i takon De Biazit padyshim, njeriu kryesor që na dërgoi aq larg.

"Nuk po mburr FSHF, përkundrazi, nuk kam arsye. Madje unë kam qenë tre vite që luaja standart te ekipi im dhe jam thërritur me vonesë. Por nuk zgjedh të bëjë polemika dhe duhet të them se te FSHF më kanë respektuar dhe u jam shumë mirënjohës. Sa i përket De Biazit, e para e punës duhet të them se ishte trajner që u mundua kulturën tonë ta ndërthurte me disiplinë. Ka pasur edhe shumë personalitet: “Kur fliste De Biazi, të gjithë e shihnim në sy”. Fliste dhe dinte se çfarë nxirrte nga goja. Gjithashtu kishte edhe zemër të madhe, falte lojtarët për ndonjë sjellje të gabuar”, tha Kukeli.

EMISIONET