EMRAT/ Hodhën flakadanë në fushë gjatë ndeshjes me Vllazninë, FSHF u ndalon futjen në stadiume të 5 tifozëve të Tiranës
Hodhën kapsolla në fushë gjatë ndeshjes Vllaznia Tirana në Loro Boriçi, FSHF ndalon futjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë të 5 tifozëve bardheblu.
Tifozët e Tiranës gjatë ndeshjes të luajtur më 25 gusht 2024 dhe që përfundoi 2-2, hodhën kapsolla nga sektori i miqve në stadiumin Loro Boriçi dhe u konfliktuan me policinë.
Policia e Shkodrës shoqëroi pas ndeshjes 4 tifozë, ndërsa një tjetër u procedua në gjendje të lirë.
Tashmë Komisioni i Disiplinës dhe Etikës të FSHF-së nga dje ka vendosur ndalimin në stadium të 5 tifozëve për një periudhë të pacaktuar kohe:
Tifozët që u është ndaluar futja në stadium janë shtetasit: Devid Arben Pesjaka; Shpëtim Ardian Xorxi; Shendi Roland Sata; Arben Petrit Sulaj dhe Mirash Irfan Lila.
Reagimi i FSHF-së
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e “Abissnet Superiore”, KF Vllaznia – KF Tirana të zhvilluar më datë 25.08.2024 ora 20:00 në stadiumin Loro Boriçi, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE
VENDOSI:
Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe personave të më poshtëm:
Devid Arben Pesjaka
Shpëtim Ardian Xorxi
Shendi Roland Sata
Arben Petrit Sulaj
Mirash Irfan Lila
Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF, të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi. Një kopje e këtij vendimi t’i përcillet Policisë së Shtetit.