Edoardo Reja i kënaqur me cilësitë në skuadrat kuqezi të grupmoshave
Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, flet nga Italia për të ardhmen e grupmoshave kuqezi, duke u ndalur te puna që është bërë gjatë viteve të fundit për të ngritur fidanishte të sukseseshme. Pasi ndoqi nga afër miqësoret e skuadrave U-19 dhe U-18 në Coverciano kundër skuadrave italiane, trajneri veçoi paraqitjet e kuqezinjve të vegjël.
“Pashë gjëra pozitive në këto dy miqësore, sidomos në aspektin e temperamentit djemtë kanë bërë gjëra të mira në fushë, ndonëse u mundën që sigurisht ka një rëndësi relative në miqësore, por kanë qenë vazhdimisht në lojë dhe kanë luftuar. Sigurisht, vlerat e të dyja skuadrave të Italisë janë superiore në aspektin fizik, janë të gjithë lojtarë në qendër të vëmendjes në Itali dhe të afirmuar në klube të mëdha, edhe pse janë shumë të rinj. Në këtë kuptim është gati e pamundur të pretendosh t’i mposhtësh, por gjithsesi të dyja ekipet shqiptare treguan shumë gjëra të mira gjatë miqësoreve.
“Për shembull në ndeshjen mes Kombëtareve U-19, Shqipëria për 30 minutat e para luajti si e barabartë, madje edhe në pjesën e dytë tregoi futboll interesant në fushë. Ne përpiqemi gjithmonë të përmirësohemi sepse këto eksperienca janë të rëndësishme për të bërë krahasime, por ka edhe elementë interesantë në këto dy grupe. Duhet ta pranojmë që Italia ka një brez të shkëlqyer të vitlindjes 2005. Unë mbeta i kënaqur që pata mundësinë të shoh ekipet kombëtare në aksion dhe konstatoj se lojtarët japin shenja përmirësimi të vazhdueshëm.
Ka shumë elementë të mirë në të dyja grup-moshat, është një grup me të cilin po punohet mirë, ndërkohë që po ndjekim rritjen e këtyre lojtarëve, një pjesë e të cilëve i kam ndjekur edhe më parë në ekipet zinxhir të moshave. Ka edhe shumë lojtarë të tjerë të rinj që aktivizohen në klubet shqiptare dhe më kanë krijuar përshtypje të mira. Mund të them se po punohet mirë në futbollin e të rinjve në Shqipëri. Në duhet të synojmë që në të ardhmen të jemi më shumë kompetitivë dhe objektivi është që të rivalizojmë skuadra të tjera, pasi është e vështirë të matesh me ekipe si Italia, Anglia, Gjermania apo Franca, por nëse punojmë mirë mund të konkurrojmë denjësisht me skuadra si Polonia, Austria, Kroacia apo Çekia dhe të luajmë si të barabartë me ekipe të këtij niveli”.