Dy sfida që mund të ndezin Superioren, mësoni përballjet që mbyllin javën e 23-të

Dy sfida që mund të ndezin Superioren, mësoni përballjet

Java e 23-të e Kategorisë Superiore mbyllet sot me dy sfida shumë delikate, të cilat mund të ndezin edhe më shumë garën për objektiva të ndryshëm për të cilat luftohet në këtë sezon.

Të dy ndeshjet luhen në orën 17:00 dhe premtojnë luftë të vërtetë deri në sekondat e fundit.

Tirana pret Erzenin në “Air Albania” në një duel shumë të rëndësishëm për klasifikimin e bardhebluve që synojnë padyshim të jenë pjesë e “Final Four”.

Ata kanë mundësi që të ngushtojnë diferencën me vendin e dytë në rast fitoreje dhe të vendosin edhe më shumë nën trysni Partizanin para derbit.

Por përballë është Erzeni i cili sapo ka ndërruar trajner, duke sjellë në stol Skerdi Bejzaden dhe dëshira do të jetë për të bërë mirë përballë bardhbluve më të cilët kanë pasur rezultate mëse pozitive në takimet e mëparshme.

Ndërkaq, sfida tjetër mes Skënderbeut dhe Kukësit mund të rezultojë shumë e rëndësishme për zonën e mbijetesës.

Korçarët duan të qëndrojnë sa më larg saj ndaj u duhet me çdo kusht fitorja për të mos u përfshirë në vorbullën e zonës së ftohtë.

Ndërsa Kukësi nuk ka alternativë tjetër veç tre pikëve për t’iu larguar vendit të fundit ku ka rrëshqitur.

EMISIONET