Duro i kënaqur: Mundëm një ekip të fortë, kualifikimi mbetet i hapur

Duro i kënaqur: Mundëm një ekip të fortë, kualifikimi

Laçi ishte i vetmi ekip nga klubet shqiptare që mori një fitore në ndeshjet e para të raundit të dytë të Conference League. Në përfundim të ndeshjes në “Elbasan Arena”, trajneri Shpëtim Duro nuk e fshehu kënaqësinë për suksesin edhe pse qëndroi me këmbë në tokë për çështjen e kualifikimit.

Sa i kënaqur jeni me suksesin?

"Një fitore 1-0 ndaj një skuadre e cila deri në fund ka luajtur për titullin kampion në Rumani, mendoj se është një sukses i jashtëzakonshëm. Rezultati është pozitiv, por patjetër çdo gjë është e hapur për ndeshjen e kthimit, që gjithashtu duhet ta vlerësojmë maksimalisht".

Çfarë mund të bënte më mirë sot Laçi?

"Kundërshtarët nuk krijuan rrezikshmëri në portën tonë, me përjashtim të një rasti në pjesën e parë. Ne nga ana tjetër mund të bënim më mirë në daljet në kundërsulm, pasi mund t’i vinim në vështirësi disa herë, megjithatë fituam dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër".

Cili ju pëlqeu më shumë dhe a prisnit më tepër nga Mazrekaj?

"Në përgjithësi të gjithë kanë luajtur mirë, kanë zbatuar detyrat, se këto janë ndeshje të tilla që nëse do të çedojë një ose dy lojtarë, të krijojnë probleme. Pa përjashtim, të gjithë kanë luajtur mirë. Mazrekaj ka bërë super-ndeshje me Podgoricën. Sot në krah kishte një mbrojtës si Konte që i rrinte gjithë kohës në fundore. E kishin vlerësuar shumë Mazrekajn, ishte vlerësim i jashtëzakonshëm në mbulimin e tij", përfundoi trajneri i ekipit kurbinas.

EMISIONET