DUELI I VITIT/ Stërvitja ekstreme e Usyk, ukrainasi paralajmëron Joshua
Në datën 20 gusht në Arabinë Saudite do të jetë ndoshta mbrëmja më e zjarrtë e këtij viti në arenën e boksit. Përballë njëti-tjetrit dy superkampionë të peshave super të rënda, Oleksandr Usyk dhe sfidanti Anthony Joshua që humbi plot 4 gjerdanë në sfidën e parë me ukrainasin dhe tashmë kërkon revanshin.
Shtatorin e vitit të kaluar në stadiumin e Tottenhamit, Usyk mposhti me pikë rivalin britanik duke i rrëmbyer gjerdanët WBA, WBO, IBF dhe IBO ndërsa është sërish favorit për të triumfuar në përballjen e dytë.
35-vjeçari ukrainas që vetëm pak muaj më parë ishte një nga shumë ushtarët rezervistë të kthyer në atdhe për mbrojtjen e Kievit nga ushtria ruse, aktualisht është zhvendosur në vendin e Lindjes së Mesme në sekret të plotë dhe ashtu si Joshua gjatë muajve të fundit është stërvitur me metoda ekstreme.