DORTMUNDI HYN NË GARË PËR ASLLANIN! Klubi verdhezi duhet të shesë lojtarë, Leipzig në pritje
Fisnik Asllani po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në Bundesligë, me Borussia Dortmund që e ka futur në listën e objektivave për merkaton e verës. Klubi verdhezi po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit kosovar, por kjo lëvizje varet nga ndryshimet në repartin ofensiv. Ndërkohë, Leipzig dhe disa skuadra të tjera po e ndjekin nga afër situatën, duke rritur konkurrencën për firmën e tij.

Borussia Dortmund po e monitoron me vëmendje sulmuesin kosovar Fisnik Asllani, i cili aktualisht është pjesë e Hoffenheimit. Sulmuesi 23-vjeçar është shfaqur si një nga emrat më interesantë të merkatos së verës në Bundesligë, falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse gjatë sezonit të fundit.
Sipas mediave gjermane, drejtuesit e Dortmundit kanë filluar kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit, ndërsa vetë Asllani shihet i hapur ndaj një transferimi në "Signal Iduna Park". Megjithatë, klubi verdhezi nuk pritet të bëjë lëvizje konkrete pa u finalizuar më parë largimet e disa lojtarëve nga reparti ofensiv.
Largimi i Guirassy ose Adeyemi konsiderohet vendimtar për realizimin e kësaj marrëveshjeje. Në rast se asnjëri prej tyre nuk largohet gjatë kësaj vere, gjasat që Dortmundi të transferojë Asllanin mbeten të vogla.
Asllani ka qenë në formë të shkëlqyer gjatë muajve të fundit. Pas një periudhe shumë pozitive te Elversberg, ku spikati me golat dhe paraqitjet e tij, ai ka vazhduar të tregojë potencial edhe në nivele më të larta, si në bundesligë.
Shpejtësia, lëvizjet inteligjente në zonë dhe aftësia për të finalizuar aksionet e kanë kthyer atë në një objektiv për disa klube të rëndësishme të Bundesligës.
Gjatë sezonit të fundit, Asllani regjistroi statistika shumë të mira me Hoffenheimin, duke u bërë një nga sulmuesit më produktivë në kampionatin gjerman. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të Dortmundit, por edhe të Leipzig, Stuttgart dhe disa klubeve nga Premier League, të cilat po monitorojnë situatën e tij.
Sipas mediave gjermane, kontrata e lojtarit përfshin një klauzolë të veçantë. klubet që kanë marrë pjesë në Ligën e Kampionëve gjatë tre sezoneve të fundit mund ta transferojnë për rreth 30 milionë euro, ndërsa ekipet e tjera duhet të paguajnë afërsisht 25 milionë euro.
Interesimi i Leipzig mund të komplikojë planet e Dortmundit. Leipzig është në kërkim të përforcimeve në sulm dhe e sheh Asllanin si një alternativë ideale për projektin e tij afatgjatë. Përveç Leipzigut, disa skuadra nga Italia dhe Anglia kanë kërkuar informacione mbi kushtet e transferimit të sulmuesit kosovar.


