Dita kur Ronaldo vdiq për një minutë…

Dita kur Ronaldo vdiq për një minutë…

Në moshën 21-vjeçare ishte njeriu më i njohur i planetit, futbollisti makth për çdo kundërshtar, sulmuesi që kërkonin të gjitha markat e botës. Ishte viti 1997 dhe Ronaldo kishte botën nën këmbët e tij.

Një vit më vonë, “Fenomeni” rrezikoi të rrëzohej nga “Olimpi” dhe ishte pikërisht Botërori 1998 në Francë. Vetëm një muaj më parë, Luis Nazario da Lima kishte “shtypur” Lazion në finalen e Kupës UEFA.

Botërori nisi në mënyrën më të mirë të mundshme madje deri në finalen e 12 korrikut kundër Francës, Ronaldo kishte shënuar 4 gola në 6 ndeshje duke konfirmuar momentin e artë, por ajo finale do të ishte dita më e mallkuar e jetës së tij.

72 minuta përpara fillimit të ndeshjes që e kishte pritur gjithë jetën, emri i Ronaldos nuk fuguronte në listën e titullarëve. Paniku zgjati vetëm disa minuta sepse ai u prezantua në nxemje duke thënë i qeshur se dëshironte të luante me çdo kusht. Gjithçka dukej gati dhe shumë normale por fusha e lojës foli ndryshe. Brazili humbi dhe Ronaldo gjithashtu. Po çfarë kishte ndodhur me fenomenin përpara ndeshjes. Dëshmia më e besueshme është ajo e Edmundos që kujton:

“E pashë të shtrirë dhe dera e dhomës ishte e hapur. Roberto Carlos po dëgjonte muzikë dhe nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte por Ronaldo kishte marrë një ngjyrë vjollcë dhe po shkumonte nga goja. Dola me vrap kërkova mjekun dhe më pas bashkë me Cesar Sampaion i nxorrëm gjuhën jashtë pasi po mbytej. Kur erdhën mjekët, situata nuk ishte më aq alarmante. Zagallo e kuptoi shumë më vonë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe për këtë arsye vendosi ta aktivizonte në atë ndeshje”.

Çfarë kishte ndodhur? Ndoshta injeksionet e shumta për të hequr dhimbjet në gju që po e përndiqnin prej muajsh. Specialistët më të mirë të Italisë, shumë vite më vonë dolën në një përfundim, për ta nuk bëhej fjalë për një sulm epileptik por për probleme kardiake.

Zemra e fenomenit ndaloi për disa momente, ndoshta për një minutë. Të vërtetën nuk do ta mësojmë kurrë por pas asaj ndeshjeje, Fenomeni nuk u kthye asnjëherë i tillë, fenomen.

 

 

 

EMISIONET