“Calciopoli” trondit futbollin belg, katër trajnerë rrezikojnë të burgosen

“Calciopoli” trondit futbollin belg, katër trajnerë

Calciopoli i famshëm italian mund të përsëritet në Belgjikë. Futbolli në këtë vend është tronditur nga hetimi i madh që ka bërë policia belge teksa 56 persona janë vënë nën hetim dhe ndaj tyre janë ngritur tashmë akuza paraprake të cilat edhe mund të rëndohen më tej nga hetimet që vijojnë.

 

Gjyqi për këtë hetim të njohur si “Operacioni Zero” apo “Footballgate” pritet të zhvillohet këtë vit ndërsa nën hetim janë agjentët, gjyqtarët, lojtarët, menaxherët e klubeve të Pro Ligës (divizioni i parë belg) me skandalin që shpërtheu në vitin 2018 dhe qe u zgjerua me hetimet e mëtejshme.

 

Klubet më të mëdha të Belgjikës, Brugges, Genk, Anderlecht, Charleroi, Standard Liegi e gjithashtu Mechelen, Lokeren janë disa nga klubet e përmendura në këtë dosje. Përveç të dyshuarve, edhe 200 persona të tjerë dyshohet se kanë marrë para gjatë transaksioneve të padeklaruara dhe u është kërkuar rregullimi i situatës në tatim.

 

Në këto 3 vite hetime janë shtuar emra të tjerë falë edhe bashkëpunimit të agjentit Dejan Veljkovic, të “penduarit” të çështjes, i cili mori një dënim me kusht ndërsa akuzat e ngritura janë për vepra që variojnë nga përvetësimi deri te mashtrimi tatimor dhe pastrimi i parave. Disa të dyshuar gjithashtu do të duhet të përgjigjen për përfshirjen e tyre në të paktën dy trukime ndeshjesh. Sipas mediave belge, agjenti i famshëm i futbollistëve Mogi Bayat dhe të paktën katër trajnerë përballen me burg./Ora News/.

EMISIONET