Bruno Fernandes, realist: Fitorja në Europa League nuk e shpëton dot sezonin
Manchester United ndodhet vetëm tri ndeshje larg nga trofeu i parë europian pas shtatë vitesh, por Bruno Fernandes nuk e sheh këtë si një justifikim për një sezon të vakët.
Kapiteni portugez i "Djajve të Kuq" ka folur me sinqeritet para përballjes me Athletic Bilbaon në gjysmëfinalen e UEFA Europa League:
“Është e rëndësishme të fitosh trofe, por kjo nuk do të shpëtojë asgjë.”
Në një sezon ku United ka rrëshqitur deri në vendin e 14-të në Premier League, Fernandes e pranon se një triumf në Europa League do të ishte vetëm një arritje e izoluar dhe jo shpëtim për një ecuri që nuk ka përmbushur pritshmëritë.
“Nuk do ta quaja një shpërblim. Thjesht do të ishte sukses në një kompeticion të caktuar,” – shtoi ai.
Skuadra e Erik ten Hag do të përballet të enjten në mbrëmje në "San Mamés" me Athletic Bilbaon, që do të luajë në shtëpi dhe synon finalen që zhvillohet pikërisht aty, më 22 maj. Fernandes paralajmëron një përballje të vështirë:
“Ata e kanë finalen në shtëpi nëse na mposhtin. Do të jetë shumë e vështirë. Duhet të jemi të përgatitur.”
Ndeshja e kthimit mes dy ekipeve do të luhet më 8 maj në ‘Old Trafford’, ku United shpreson të përfitojë nga mbështetja e tifozëve për të siguruar finalen e madhe dhe, ndoshta, të shpëtojë sadopak nderin e sezonit.