Partizani dhe Tirana futen në Europë nga...Elbasani
UEFA Conference League është një kompeticion ku skuadrat shqiptare kanë përqendruar vëmendjen në këto momente dhe një prej tyre është edhe Partizani.
Skuadra e Dritan Mehmetit do të sfidojë në dy ndeshje gjeorgjianët e Saburtalos për të kërkuar kualifikimin në raundin e dytë. Klubi i kuq po bën të gjitha përgatitjet për duelin vendimtar të korrikut edhe pse ndeshjen e shtëpisë do ta luajë sërish në Elbasan.
Shkak është bërë fusha e “Air Albania Stadium” që i është nënshtruar mbjelljes së pjesshme pas finales së Kupës së Shqipërisë. Për të sqaruar opinionin publik dhe tifozët jo pak të zemëruar, Partizani del me një komunikatë zyrtare;
“Klubi Partizani dëshiron të njoftojë opinionin publik dhe në veçanti tifozerinë e kuqe në lidhje me zhvillimin e ndeshjes së kthimit ndaj Saburtalo në program dt.14 korrik ora 20:00 në "Elbasan Arena" e vlefshme për turin e parë të Conference League. Saktësojmë se luajtja e ndeshjes në stadiumin "Elbasan Arena" është e kushtëzuar, pasi drejtoria e stadiumit "Air Albania" ka vlerësuar që të mbjellë barin gjatë kësaj periudhe, kur ekipet shqiptare garojnë në kompeticionet europiane”.
Ndërkohë, UEFA ka konfirmuar në faqen e saj zyrtare se edhe ndeshja Tirana-Dudeange, e vlefshme për raundin a parë të Champions League, do të zhvillohet në 12 korrik në “Elbasan Arena”.