Akuza e rëndë e fitueses së medaljes olimpike: Ja si abuzonte me mua ish-partneri

Akuza e rëndë e fitueses së medaljes olimpike: Ja si abuzonte me

Atletja spanjolle e kërcimit trehapësh, Ana Peleteiro, ka denoncuar në një video të publikuar në TikTok, abuzimet e përsëritura psikologjike nga ish-partneri i saj, emrin e të cilit nuk e ka zbuluar.

"Zgjohesha në mes të natës duke kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin tim. Dhe megjithatë, heshta.

Ndryshova gjithçka te vetja, nga veshjet, flokët, mënyra si veproja me familjen time, distancimi nga shumë njerëz, dhe megjithatë, heshta," tha Peleteiro.

Peleteiro zbuloi gjithashtu mënyrën si ish-partneri i saj e kërcënonte:

"Ai më thoshte se, nëse nuk kryenim marrëdhënie seksuale sa herë që ai dëshironte, kjo do të dëmtonte lidhjen tonë dhe se, në fund të fundit, kush nuk ha në shtëpi, ha jashtë.

Dhe nëse ai do të më tradhtonte, unë nuk do të duhej të çuditesha. Dhe, megjithatë, heshta."

"Kur shkoja në shtëpinë e tij gjatë fundjavave, ai zhdukej dhe, papritur, unë nuk dija asgjë për të.

Dhe më shkruante ndonjëherë, ndoshta një herë, 'mirëmëngjesi', duke u justifikuar se kishte nevojë për hapësirën e tij dhe se unë duhej të kisha besim tek ai dhe ta lejoja të bënte ato gjëra sepse ishin 'normale' në një lidhje.

Dhe megjithatë, heshta. Ai kthehej nga udhëtimet me shenja në trup dhe më thoshte se ishin pickime insektesh që ndoshta ishin në dyshek. Dhe unë prapë heshta," vazhdoi rrëfimin atletja.

Peleteiro rrëfeu se donte ta bënte publike atë që kishte përjetuar për të ndihmuar gra të tjera që mund të kalojnë situata të ngjashme:

"Nuk do të vazhdoj më tej, sepse mendoj se ka mjaftuar, por thjesht dua të them që nëse identifikohesh me ndonjërin prej këtyre sinjaleve, të lutem, ik.

Nuk do të jesh kurrë e lumtur dhe ata po të bëjnë shumë dëm.

Përpiquni të bëni terapi, sepse të dalësh nga një marrëdhënie me një narcist është shumë e ndërlikuar, pasi ata e reduktojnë vetëbesimin tuaj.

Por me ndihmë dhe me njerëz përreth jush që ju duan, mund të dilni, të filloni nga zero dhe të jetoni një dashuri të vërtetë, të mirë dhe të bukur."

Fituesja e medaljes olimpike në Tokio ishte në një lidhje me portugezin Nélson Évora nga viti 2016 deri në 2021.

Aktualisht, ajo është në një lidhje me atletin Benjamín Campaoré, me të cilin ka një vajzë.

EMISIONET