Abilaliaj: Dinamo nuk duhet nënvlerësuar, kemi mungesa lojtarësh

Abilaliaj: Dinamo nuk duhet nënvlerësuar, kemi mungesa lojtarësh

Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj, ka folur sot në konferencë për shtyp për situatën e skuadrës së tij para derbit ndaj Dinamos, duke menduar edhe për atë të radhës brenda të njëjtës javë ndaj Tiranës. Tekniku i të kuqve, tregoi edhe situatën e dëmtimeve në ekip, që po ndikonin ndjeshëm përgatitjet.

“Dinamo është emër i madh, klub i madh, është fanellën e rëndësishme për futbollin shqiptar pasi ka fituar shumë tituj. Ndaj për historinë që ka janë mëse të respektueshëm se janë ndër emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, për shkak të futbollit që kanë luajtur por edhe titujve që kanë fituar ndër vite.

Dy derbi në javë? U bë kohë e gjatë e u mësuam me dëmtimet, ndaj të them të drejtën që të gjithë që stërviten me klubin janë të gatshëm. Janë dy derbi, dy ndeshje shumë të rëndësishme të cilat konsolidojnë më shumë mënyrën, lojën tonë dhe mbi të gjitha psikologjinë e futbollistëve. Që në momentin që marrim pikë të plota është një bonus për të gjithë, ndaj mendoj që të gjithë ata që janë prezent në stërvitje janë të gatshëm për të përballuar ndeshjet.

Nuk kemi vendosur 11-shen pasi kemi pasur pak mundësi për stërvitje. Do u japim një dorë të fundit përgatitjeve, duke pasur parasysh se si është gjendja e 23 futbollistëve të tjerë për shkak të minutazhit që kanë pasur. Për momentin kemi 2-3 variacone por nuk është vendosur asgjë për sa u përket dy qendrave të mbrojtjes.

Nuk stërvitet as Sota, as Atanaskoski, as Çela. Janë në fazë rikuperimi. Nuk janë pak, janë 7-8. Ndreka dhe Hoxha kanë bërë ndërhyrje, Bytyçi pritet të bëjë ndërhyrje. Janë dëmtime të rënda. Pjesa tjetër nuk stërviten me ekipin, por po mundohemi t’i bëjmë gati për ndeshjen e radhë..

Mungesa e Buxhelajt ka qenë çështje teknike, duke pasur parasysh që kishim dy futbolllstë me Shpresat e ai luajti nga fillimi, nuk mund të luante ndeshjen tjetër direkt në Rrogozhinë. Diçka teknike nga e cila edhe ne, për rrethanat si ishte ndeshja, nuk kishte rregullore të qartë të asaj situate dhe ishte pak amulli.

Nuk kemi luksin të injorojmë askënd, nuk luajmë futboll vetëm për derbin, ne luajmë futboll çdo tre ditë duke vlerësuar çdo kundërshtar, çdo tre ditë për të marrë tre pikë, për të forcuar idetë tona, karakterin, ADN-në e klubit.

Janë futbollistë që përgatiten në çdo moment për një proces, nuk përgatiten sot për nesër, i tillë është futbolli. Nuk ka asnjë lloj diferencimi, është fakt, nuk kemi çfarë të bëjmë, është pjesë e lojës. Të gjithë do të luajnë 200%, nuk ka një arsye që të mbajmë rezerva. Por i kemi lojtarët për të marrë masat prapë.

Për Prekën mund të them se është bërë operimi dy ditë më parë. Nëse çdo gjë do jetë si duhet, 6-7 javë do t’i duhen për ta rikthyer në fushë. Për sa i përket Bytyçit, ka bërë ekzaminimin, por ndërhyrja ku, si, tek, nuk kemi ende informacione të detajuara.

Pritet të bëjë në ndërhyrje që mund t’i kushtojë kohë. Nuk di të them në terma të sakta, por do mungojë goxha”, tha Abilaliaj para gazetarëve.

EMISIONET