Të paktën 10 pacientë që po trajtoheshin për sëmundjen e Covid-19 në një spital të Rumanisë kanë mbetur viktima të një zjarri aksidental.

Flakët shpërthyen të shtunën mbrëma në repartin e kujdesit intensiv në qytetin e Piatra-Nemtit.

Shtatë persona të tjerë morën djegie të rënda, mes tyre edhe një prej doktorëve që tentoi të shpëtojë të sëmurët.

Ndërsa hetimet e ngjarjes janë marrë përsipër nga prokuroria rumune, ministri i Shëndetësisë informoi se shkaku mund të qenë një qark i shkurtër i cili dëmtoi pajisjet e intubimit.

Përhapja e zjarrit, ndërkohë, u ndihmua nga shpërthimi i bombolave të oksigjenit që ishin vënë në dispozicion për pacientët.

Tetë prej viktimave mbetën të vrarë në dhomën ku ndodhi incidenti, ndërsa 2 persona të tjerë humbën jetën në dhomën ngjitur.

Flakët shkrumbuan tërësisht të paktën 8 shtretër dhe aparaturat mjekësore për pacientët.

Mediet lokale vunë në dukje se spitali nuk përmbushte kushtet e nevojshme për pacientët, dhe një muaj më parë drejtuesi i tij ishte pushuar nga detyra pas publikimit të disa rasteve me pacientë që prisnin jashtë në të ftohtë për të takuar doktorët.

Infrastruktura e dobët shëndetësore, mungesa e stafit mjekësor dhe rritja e përditshme e shkallës së infektimit me kovid-19 në popullatë ka vënë në vështirësi autoritetet.

Rumania është ndër vendet më të varfra të Bashkimit Europian, dhe në fundjavë raportoi rreth 10 mijë të infektuar të rinj me koronavirus në 24 orë, ndërsa mbi 8,800 janë jetët e humbura.