Rritja e numrit të të infektuarve me kronavirus në Shqipëri duket se ka vënë në punë qeverinë për të shtuar kapacitetet mjekësore.

Duke folur nga Spitali i Fierit, ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh se dhe spitalet rajonale do të përgatiten për shndërrimin e tyre në spitale COVID nëse do të përmbushen kapacitetet e 4 spitaleve aktuale.

“Ne kemi filluar tashmë dhe kemi bërë realitet forcimin e kapaciteteve të terapive intensive edhe në spitalet rajonale, në mënyrë që të fillojmë parapërgatitjet, që të mundemi të jemi gati edhe në rastet kur mund të kemi një rritje të numrit të pacientëve në spitalet tona, kur do të tejkalohet numri i 500 pacientëve të planifikuar për t’u trajtuar në 4 spitalet Covid, që janë të destinuara, sipas një plani të mirëstrukturuar dhe skenarëve që tashmë ne i kemi të planifikuar, edhe spitalet rajonale të mundet të trajtojnë rastet. Për këtë qëllim ne kemi vijuar pajisjen me setet e nevojshme të aparaturave, për urgjencën dhe reanimacionin, që përfshin monitorë të matjes së parametrave vitalë të pacientit, respiratorë apo aspiratorë, shiringa elektrike, EKG”, – tha Manastirliu.

Gjithashtu ajo u shpreh se qeveria shqiptare do të vijojë të investojë në spitalet rajonale ë mënyrë që të mos detyrohen të dërgojnë pacientë drejt Tiranës për mjekime më të specializuara.

“Ishte e pamenduar pak vite më parë, kur spitalet rajonale ishin veçse përcjellëse të pacientëve drejt Tiranës, të kryheshin procedurat delikate në zemër në këto spitale. Falë investimeve që qeveria shqiptare ka bërë, falë punë së jashtëzakonshme të ekipeve të mjekëve dhe të infermierëve, është bërë e mundur që spitalet rajonale të ofrojnë shumë më shumë shërbime afër vendbanimit. Kjo falë edhe investimeve që janë kryer në teknologji, por edhe për faktin se ka sot më shumë mjekë kanë përfunduar specializimet dhe janë atashuar pranë spitaleve rajonale për të ofruar këto shërbime kaq shumë të rëndësishmë, jetike për qytetarët”, – deklaroi ministrja.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se qeveria shqiptare do të vijojë me transformimin e sistemit shëndetësor dhe mbështetjen për mjekët dhe infermierët, nëpërmjet rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës.

“Mbështetja për mjekët dhe infermierët nuk do të mungojë. Ky është prioritet, ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisë shqiptare, për të vijuar mbështetjen maksimale qoftë nëpërmjet rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, qoftë nëpërmjet bonuseve, qoftë nëpërmjet mbështetjes për krijimin e kushteve më të mira të punës.”, tha Manastirliu.