Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka nisur prej 8 muajsh hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Ervin Bushati.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për fshehje të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.

Përmes një deklarate për mediat, PD bën me dije se është informuar nga SPAK se ka nisur procedimin penal pas akuzës së paraqitur nga selia blu, dhe udhëhiqet nga Doloreza Musabelliu.

PD e ka depozituar dosjen që në tetor  të vitit 2018 dhe çështja u kalua nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK, pas krijimit të kësaj prokurorie. Bëhet fjalë për mosdeklarimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.

SPAK gjithashtu shprehet se në kushtet që çështja është nën hetim ruajtja e sekretit hetimor është e detyrueshme, shkelja e të cilit është vepër penale, ndaj nuk ka dhënë detaje të mëtejshme
pak ditë më parë sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi i dërgoi një shkresë SPAK dhe kryeprokurorit Olsian Cela ku i kërkonte informacion mbi ecurinë e hetimeve ndaj deputetit Bushati.