I ftuar në Ora News, ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia u shpreh se kjo pandemi nxori në pah degradimin e sistemit shëndetësor në këto vite.

Për Spahian, mungon një vëmendje dhe një strategji e mirëfilltë për të përballuar një situatë kaq serioze si pandemia

Spahia: Qytetarët shqiptarë po hasen me mungesa të shumta në qendrat spitalor. Kjo pandemi nxori në pah degradimin e sistemit shëndetësor në këto vite. Shqiptarët paguajnë shumë më shumë nga xhepat e tyre, për të marrë një shërbim më të keq. Ajo që kemi theksuar ne është se qytetarët nuk i merrnin dot ilaçet e rimbursuara, pasi testi kërkonte shumë kohë. Kështu koha e rimbursimit transferohej në kohën kur kalonte sëmundje dhe kështu ata i përballonin vetë shpenzimet për trajtimin e Covid. Këto janë shpenzime të konsiderueshme.

Strukturat e sistemit shëndetësor shqiptar kanë një çakordim. U lanë 10 muaj komplet jashtë skemës së përballjes me virusin. U la jashtë mjeku i familjes dhe sistemi parësor shëndetësor. Njerëzit ose qëndruan në shtëpi ose u dyndën në qendrat e specializuara sikurse ishin spitalet Covid. Mungon një vëmendje dhe një strategji e mirëfilltë për të përballuar një situatë kaq serioze. Propozimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër edhe sot e kësaj dite. Qëndrojmë paradoksalisht te kërkesa e stërthënë për rritjen e testimeve për të krijuar një panoramë për përhapjen e virusit.

Spahia shtoi se edhe sot sillemi te 30% i pozitivitetit, ndërsa vendet e tjera shqetësohen kur ky numër shkon mbi 5%.

Spahia: Edhe sot sillemi te 30% i pozitivitetit, ndërsa vendet e tjera shqetësohen kur ky numër shkon mbi 5%. Pandemia është në një rënie të lirë. Ka një errësirë të plotë lidhur me përhapjen e virusit nga instancat shtetërore. Nuk ka asnjë plan masash për ta ndaluar këtë përhapje. Po mbahen të fshehtë numrat realë të viktimave dhe të të prekurve. Kjo si pasojë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë nga instancat shtetërore. Realiteti është shumë më i rëndë nga ai që pasqyrohet.