Përmes një postimi në Facebook, ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia shkruan se humbja e besimit është kosto për qytetaret edhe në kohë Covid-i.

Sipas tij, qytetarët duhet të mbajnë në kurriz një qeveri të papërgjegjshme!

“Sa më shumë rritet shifra e të infektuarve, aq më të braktisur ndihen qytetarët e aq më pak i vihet veshi “këshillave” e gjobave të qeverisë, si mënyrë për t’u mbrojtur nga Covid-19. Dhe kjo është fatkeqësi, sepse dëshmon se sa i pabesueshëm është bërë Edi Rama dhe ministrja e tij e shëndetësisë, që duhet të menaxhonin sigurinë shëndetësore të qytetarëve në këtë kohë pandemie!
Kjo qeveri dështoi, duke u bërë e pabesueshme, sepse karantinimin ekstrem, ku i nënshtroi qytetarët, nuk e shfrytëzoi për marrje masash e rritje kapacitetesh! Rihapja dëshmoi se sa e papërgatitur dhe pa strategji ishte qeveria për këtë agresivitet të virusit.”
– shprehet Bardhi.

Spahia shkruan se  qeveria ka injoruar çdo sugjerim dhe mbetemi të fundit në rajon në lidhje me numrin e testimeve.

“Edi Ramës dhe ministres së tij të shëndetësisë, që injoruan çdo sugjerim, si nga opozita edhe profesionistë të fushës, iu deshën 4 muaj për të “aktivizuar” vetëm me fjalë e sa për show një laborator të dytë testimesh, atë të QSUT-së, edhe pse çdo herë mohonin të kishin probleme kapacitetesh për teste. Mbetemi të fundit në rajon për numrin e ulët të testeve dhe i njëjti model vijon edhe pse rezultojnë mbi 25 % të infektuar, nga të testuarit ditorë. Mungesa e transparencës është në përmasa olimpike. Pse fshihet numri real i testimeve molekulare (tamponëve), por përcillet një shifër totale bashkë me testet serologjike, edhe pse nuk janë e njëjta gjë? Pse u vonua kaq shumë liberalizimi i këtyre testimeve, që përkundër propagandës, ka të dukshme mungesën e kapaciteteve si teknike ashtu edhe njerëzore? Si mund të bëhen vetëm 304 testime (dje) në këtë situatë?”

Për Spahian vatrat e rritura të infeksionit, si në spitale e institucione janë dëshmia se si protokollet nuk zbatohen as në testimin e të dyshuarve.

“Vatrat e rritura të infeksionit, si në spitale e institucione janë dëshmia se si protokollet nuk zbatohen as në testimin e të dyshuarve, të cilët për pasojë vazhdojnë punën, apo edhe në gjurmimin e kontakteve e karantinimin e tyre. Dhe fatkeqësisht me këtë lloj papërgjegjshmërie, trajtohet edhe personeli mjekësor i infektuar.  Çdo ditë e më shumë denoncohen raste të qytetarëve që me shfaqjen e simptomave zgjedhin të vetizolohen me ndjenjë përgjegjësie ndërsa presin më kot për ditë e javë të tëra një test nga strukturat e qeverisë së papërgjegjshme.”

Së fundi, Spahia shton se mungesa e transparencës nga ana e qeverisë bën që qytetarët të mos besojnë te kjo e fundit.

“Nga ana tjetër, mungesa e trajtimit mjekësor, po deklarohet me zë e figurë nga vetë mjekët e spitaleve Covid, se pacientët u vijnë në gjendje kritike, atëherë kur shanset për t’i kuruar mbeten tejet të ulëta. Përse kjo lloj papërgjegjshmërie? Kemi mungesë kapacitetesh? Kemi mungesë testesh? Kemi mungesë ilaçesh? Prandaj shfaqen shishe uji përkrah serumeve në fotot që shpërndan ministrja e shëndetësisë? Me çfarë po kurohen të infektuarit me Covid në spitale?
Kjo mungesë transparence dhe propaganda verbale e vizive me kamerat e ERTV-së, bëjnë që qytetarët me të drejtë të mos besojnë më tek qeveria, e për pasojë as tek këshillat e saj! Nuk ka fatkeqësi më të madhe se të kesh një qeveri të tillë!”