Kompania amerikane e prodhimit të raketave, “SpaceX”, ka nisur për herë të parë katër astronautë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.

Raketa “Falcon 9” u lëshua të dielën nga baza e Agjencisë Kombëtare të Aeronautikës dhe e Hapësirës në shtetin e Floridës, rreth orës 7 e gjysmë të mbrëmjes me orën lokale.

Mjeti fluturues arriti orbitën në 12 minuta ndërsa shpejtësinë supersonike mbi 1 mijë kilometra në orë e preku në lartësinë 10 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.

Brenda ditës së hënë, kapsula me tre astronautët amerikanë dhe një japonez pritet të ankorohet automatikisht në stacionin hapësinor që ndodhet rreth 400 kilometra nga Toka.

NASA raportoi se misioni vijoi pa probleme, përveç motit të paqëndrueshëm në fundjavë dhe një rënieje të shkurtër të presionit të ajrit pak para ngritjes.

Motorri fillestar që siguroi shtytjen e raketës gjithashtu u arrit të shpëtohej duke u vetëparkuar mbi bordin e një anijeje në det.

Misioni i NASA-s dhe kompanisë SpaceX realizohet pas 10 viteve prova dhe zhvillime teknologjike.

Gjatë kësaj periudhe, fluturimet në hapësirë janë bërë të mundura kryesisht nëpërmjet kapsulave ruse.

Katër astronautët qëndruan disa javë në karantinë nga rreziku i koronavirusit, ndërsa të stacionin hapësinor ata do u bashkohen tre kolegëve dhe kozmonautëve të tjerë.

Puna e tyre atje do të përqëndrohet te  eksperimentet shkencore si ndryshon biologjikisht njeriu, a kultivohen ushqimet në hapësirë dhe nëse bakteret mund të shfrytëzohen për të gërryer asteroidët e më vonë për nxjerrjen e mineraleve nga dheu jashtëtokësor.