Në veprimtarinë e një politikani që ka ndikuar në jetën e një Kombi, për mirë apo për keq, vjen një ditë kur ka shansin për të hyrë në histori.

Nëse me autoritetin e tij kryeministri vendos që të shikojë karriken e tij, ndonëse ka  22 vite në administrim pushteti, duke e çuar popullin në konflikt civil dhe në katrahurë, atëhere do ketë një fund jo të lumtur. Nëse me elokuencën që manifeston, kur don, vendos se mbi të gjitha duhet marrëveshja, konsensusi, harmonia e një Kombi dhe le të fitojë më i miri në zgjedhje, atëhere do mbetet në histori si Burrë Shteti.

Sot është Dita e Edi Ramës!

Natyrisht që një kryeministër dhe kryetar partie lufton e punon të fitojë partia e tij. Deri këtu Edi Rama mbetet në të drejtën e tij për të luajtur politikë. Por në rastin konkret, kur flitet për një reformë zgjedhore, ku nga votimi i saj varet se kush do ta marrë pushtetin, me votë të lira apo me banda; këtu duhet të ndalojë Edi Rama, sepse boll akuza ka patur e ka për të se si mori pushtetin në vitin 2017 dhe në zgjedhjet e Dibrës ku foli, shkroi e publikoi gazeta më e madhe gjermane BILD. Asgjë nuk përgënjështroi kryeministri, bile u tërhoq dhe nga padia ndaj BILD. Një veprim i mençur sepse do të dilnin shumë gjëra ndaj tij dhe Rilindjes. Zgjodhi zbythjen, por nganjëherë është mirë ta tërheqësh prapanicën sepse nuk ka brekë hekuri që të shpëtojnë, nëse e kalon cakun. Edi Rama sot do të tregojë nëse di të tërhiqet dhe ti hap rrugë një Konsensusi që mund të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, nëse di të bëjë aritmetikë zgjedhore. Ambasadorët e huaj të rëndësishëm po i kërkojnë publikisht se mos fut duart në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme. Foli ambasadori i BE, Soreca që dihet se është një mbështetës personal i kryeministrit. E detyroi ndergjegja apo e urdhëroi qendra e tij në Bruksel, nuk dihet, porse ama foli se nuk duhet asnjë veprim pa konsensus me opozitën reale. Gjermania ka folur përditë dhe prerë, duke kërcënuar se nuk ka konferencë Shqipëri-BE për negociatat. Edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim dha dje një deklaratë, ku në thelb thoshte se nuk duhet vepruar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.

Po kështu dhe Presidenti Meta ka shkruar, folur dhe nuk ka reshtuar duke iu kërkuar të mos preket Kushtetuta, sidomos në mënyrë të njëanshme. Opozita PD – LSI si dhe krejt blloku opozitar thekson se duhet të vazhdojmë me Marrëveshjen e 5 qershorit dhe të mos prekim Kushtetutën për interesa personale.

Që të jemi korrekt me ndergjegjen tonë: Edi Rama vetë nuk i do listat e hapura. Por mëqënëse sondazhet e nxjerrin humbës përballë koalicionit opozitar po sajon listat e hapura që të prek nenin për koalicionet parazgjedhore.

Edi Rama mund të vepronte fare mirë, siç u votua Kodi Zgjedhor, nuk prek Kushtetutën fare, vazhdon me këtë mënyrë zgjedhje apo përzgjedhje deputetësh dhe nëse fiton në prill 2021 le të fillojë pikësëpari me këto ndryshime në sistemin zgjedhor, në zgjedhjen e presidentit nga populli, në vendosjen me ligj të detyruar se kur populli don për iks problem referendum , duhet zhvilluar referendum e jo si sot kur nuk zbatohet se ka njëmijë yçkla.

Edi Rama duhet të lerë servilët dhe ata që zhvasin pas pushtetit të tij koncensone, PPP, tenderime, leje ndërtimi, etj. Nëse ka frikë nga humbja e pushtetit, duhet të bind veten se nuk mund të rrijë me makinacione apo duke prishur rregullat e lojës, pasi ndeshja ka filluar. Viti elektoral ka filluar që në prill. Nëse ka frikë nga SPAK-u të bëhet burrë dhe të shkojë para tyre e të tregojë shokët!

Unë mendoj se Edi Rama ka një problem tjetër, psikologjik: ai është mësuar majë kalit të pushtetit dhe i duket hataja nëse e humbet pushtetin. Por më mirë ikën vetë, me rregulla loje të gjithëpranuara, se sa me rremujë e zjarr.

Një ditë do ikësh Edi Rama, se nuk je Zoti!

Por nëse e mban me zor, me banda, me vota të vjedhura e makinacione kushtetuese do vija DITA E QAMETIT!

Dhe do jetë DITË E KEQE!

Ndaj bëju më mirë Burrë Shteti, sot me 30 korrik 2020.