Rrok Pepaj, babai i autorit të dyshuar të vrasjes së dy kushërinjve për vjedhjen e kanabisit në Malësi të Madhe, mohoi në gjykatën e Shkodrës të kishte dijeni për krimin dhe kultivimin e drogës. 62-vjeçari tha se në male ai mblidhte boronica dhe nuk e dinte për hashashin. Ndërsa për konfliktin që dyshohet se u bë shkak për krimin, tha se dinte vetëm se të birin e kishin dhunuar. Pavarësisht pretendimeve, gjykata e mbajti atë në qeli me dy akuza.

Gjykata e Shkodrës vendosi të mbajë në qeli, Rrok Pepaj, babain e Danjel Pepës, 25-vjeçarit të dyshuar si autori i vrasjes së Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Malësi të Madhe.

62-vjeçari akuzohet për dëshmi të rremë dhe bashkëpunim në kultivimin e kanabisit, por para gjykatës ai mohoi akuzat.

Ai ishte njeriu që ndihmoi policinë për të gjetur trupat e dy të rinjve që dyshohet se i vrau i biri, por pretendon se kjo ishte rastësore dhe jo për shkak se kishte dijeni.

Në zonën malore tha se ka mbledhur boronica dhe nuk dinte se kishte parcela me hashash, ndërsa për konfliktet e të birit tha se dinte vetëm se e kanë dhunuar.

“Nuk kam pasur dijeni për parcelën e drogës, në mal dilja me bagëti dhe për të mbledhur boronica. E njoh zonën, por nuk e kam ditur ku ka parcela droge. Djalin se kam parë prej disa ditësh. Di vetem që ka pasur një ngatërresë dhe e kanë rrahur disa persona”.

Por prokuroria ka dyshime se 62-vjeçari tentoi të fshehë të vërtetën e vrasjes së dyfishtë dhe mund të ketë bashkëpunuar me të birin për kultivimin e parcelës me hashash në në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”.

Ndaj gjyqtarja, Ermira Dedja, pranoi kërkesën e prokurorit Albert Murçaj për ta mbajtur ne qeli 62-vjeçarin.

Ai u vu në pranga pas gjetjes së trupave të pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepajt pranë një parcele me 29 rrënje kanabis, 5 ditë pasi ishin zhdukur pa gjurmë bashkë me autorin e dyshuar Danjel Pepaj.

Pista kryesore që po hetohet nga policia për konfliktin mes tre kushërinjve që përfundoi në vrasje është vjedhja e një sasie kanabisi për të cilën akuzohej Danjel Pepaj.

Ky i fundit, tashmë është në arrati dhe dyshohet se ka kaluar kufirin drejt Malit të Zi, ndaj policia ka kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve të vendit fqinj për ta gjetur dhe arrestuar.