Adri Nurellari duke analizuar gjetjet e sondazhit të katërt kombëtar të Rtv Ora dhe Antonio Notos thotë se PD dhe opozita kanë fituar terren edhe pse e kanë nisur fushatën shumë më vonë se PS.

Duke marrë në konsideratë faktin se zyrtarët e mazhorancës kanë që prej shtatorit që kanë lënë zyrat dhe janë në terren, Nurellari deklaron në Ora News se PS nuk ka çfarë të shtojë më deri ditën e zgjedhjeve ndërsa opozita po.

Adri Nurellari: Ka një logjikë pse ka ndodhur. PS e ka nisur shumë herët fushatën, ka prej shtatorit që zyrtarët shtetërorë e kanë braktisur administratën, postet zyrtare dhe janë në terren. Ndërkohë që PD bashkë me partitë e tjera të opozitës për shkak edhe të kodit të ri zgjedhor që iu desh ti përshtateshin i ka vendosur njerëzit në terren shumë më vonë dhe kjo vonesë shikohet. Por opozita është në terren dhe po ngrihet edhe pse nisi vonë fushatën.Nuk shikoj si mund të shtohet më tepër PS por janë akoma dy javë nga opozita për të konsoliduar pozicionin.

Sa i takon partive të vogla, posaçërisht Nismës Thurje, ai thotë se është vështirë kampionimi i tyre në një sondazh kombëtar.

Nurellari: Me partitë e vogla ka një problem, marzhi i gabimit është 2.5 dhe është vështirë të dalë saktë për partitë e vogla. Partitë e vogla gjithashtu shpesh e kanë të përqëndruar elektoratin në zona specifike, kjo ndodh edhe me LSI jo vetëm me Thurjen dhe kjo e bën të vështirë kampionimin përveçse nëse bëhet i ponderuar.Ky sondazh kombëtar nuk i kap dot këto elementë. E di shumë mirë, se kam qenë me PDIU. Vetë prezenca e Thurjes si parti e re në sondazh kombëtar është domethënëse.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana