Gjatë kësaj fushate është parë një trend rritës nga televizionet dhe jo vetëm për të zhvilluar sondazhe. Por për gazetarin Blendi Fevziu, edhe pse është pro tyre, ato nuk tregojnë ndarjen e mandateve parlamentare dhe as forcën që do të qeverisë vendin.

Në një intervistë për RTV Ora dhe gazetaren Besmira Pelushaj, drejtuesi i emisionit “Opinion” u shpreh ndër të tjera se, me këtë sistem zgjedhor që kemi, proporcional-rajonal, sondazhi gjen vetëm tendencën por jo fituesin e zgjedhjeve.

Besmira Pelushaj: Sa i besoni sondazheve? Është hera e parë që ka projeksione të votës nga disa televizione?

Blendi Fevziu: E para, unë jam pro sondazheve. Jam pro sondazheve sepse sa më shumë sondazhe të bëhen aq më shumë publiku do të mësohet me idenë e sondazhit. E dyta, ka një keqkuptim të madh që duket sikur sondazhet janë rezultati i zgjedhjeve. Asnjëherë nuk është rezultati i zgjedhjeve. Dhe asnjëherë sondazhi nuk përcakton zgjedhjet. Nuk do të thotë se po doli sot rezultati kështu, ky është edhe rezultati i zgjedhjeve. Sondazhet janë projeksione. Projeksione që i afrohen shpeshherë të vërtetës. Projeksione që disa herë dalin bllof dhe nuk i afrohen të vërtetës, por nuk janë zgjedhje.

Secili e sheh sondazhin nga këndvështrimi i tij. Pra, gjen pikën e tij pozitive te sondazhi dhe e drejton në atë anë dhe tjetri drejton anën tjetër. Dhe kjo është normale. Ne duhet të kemi parasysh një gjë, në këndvështrimin tim dhe në njohurinë time për sondazhet, në Shqipëri, me sistemin që kemi, sondazhet mund të përcaktojnë trendin, por jo rezultatin e zgjedhjeve. Ne bëjmë sondazhe në sistem nacional. Në sistem nacional ti mund të gjesh tendencën për të kuptuar se kush është më i preferuar dhe më i pëlqyer se tjetri. Por nuk mund ta ndash në numra mandatesh. Është e pamundur ta ndash në numër mandatesh sepse kemi sistem proporcional-rajonal. Duhet të bësh sondazh me një sample shumë të madh për secilin qark që ti afrohesh numrit të ndarjes së mandateve.

Ndërsa në Shqipëri bëhet një ndarje apriori. Ky ka 51 dhe do të marrë 72 deputetë, që nuk është e rregullt sepse sot që flasim bashkë, nëse bëjmë një mbledhje matematike, opozita ka rreth 52% të votave por kishte 66 vende në parlament. Ndërsa mazhoranca me 48% të votave kishte 74 vende në parlament. Sepse sistemi është sistem proporcional-rajonal dhe jo kombëtar. Pra sondazhi nuk mund të gjejë numrin e mandateve, nuk mund të gjejë kush do e qeverisë vendin. Mund të gjejë vetëm tendencën.

Sipas Fevziut, jemi i vetmi vend që nuk kemi sondazhe gjatë vitit por kthehemi tek to vetëm përpara zgjedhjeve.

Lexo edhe:

“Debate dhe përballje programesh”, Fevziu zgjedh zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për web Aurel Rakipllari