I ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora nga Sonila Meço, eksperti i ekonomisë Pano Soko, foli rreth çmimeve stratosferike të qirave e shtëpive në Tiranë.

Kjo sipas tij lidhet me përgjimet e antimafias italiane, në lidhje me investimet e bëra në këtë sektor.

Eksperti theksoi se çmimet apo qiratë e shtëpive, bëhen në raport me pagën mesatare të qytetarëve. Sipas tij paga mesatare në Tiranë është 500 mijë lekë të vjetra, ndërsa çmimi për metër katrorë në Tiranë është diku tek 1.500 euro.

“Është e rrezikshme sepse afekton të gjithë tregun e ndërtimeve, afekton tregon e qirave. Shiko se çfarë ndodh sot me qiratë në Tiranë. Në Tiranë sot janë në kuota maksimale, pavarësisht se patëm një vit pandemik, pavarësisht se patëm një vit ku njerëzit nuk patën lëvizje, prurje në Tiranë, pjesa më e madhe e selive diplomatike lëvizën jashtë vendit, përsëri qiratë u rritën. Ekonomia pati një rënie potenciale prej 7.5% dhe qiratë u rritën. Jo vetëm qiratë, por u rritën çmimet e apartamenteve, ishte e vetmja industri, e cila nuk u prek fare nga kriza, sepse paratë që lidhen me këtë industri nuk kanë të bëjnë me paratë që preken nga krizat. Pse duhet të na interesojë të gjithëve? Sepse në fund fare, ata familje që duan të blenë një shtëpi për të banuar, nuk e blenë, nuk e përballojnë dot.

Ka një normë të pa shkruar, një metër katrorë në një qytet, kushton sa rroga mujore mesatare e qytetit. Po ta shikosh përveç Tiranës ky është një  koeficient i artë që është kudo. Ik në Austri e ke 2.000 euro metrin katrorë, sepse aq është rroga mesare. E ke në Berlin 3.000 euro sepse aq është rroga mesatare në atë qytet. Shko në Gramsh është 400 mijë lekë, sepse aq është rroga mesatare në Gramsh. Vjen në Tiranë e ke mesatarisht 1500 euro, rroga mesatare në Tiranë është 500 mijë lekë. Pse ka ndodhur kjo? Ka ndodhur sepse disa njerëz me para të pista, vijnë këtu, japin ofertë përtej ofertës natyrale, blejnë shtëpi, rrisin çmimet. Rrisin çmimet ata të shkretët që duan të blenë shtëpi për të jetuar, nuk e blenë, nuk ia dalin më. Paguajnë interesa, paguajnë para më tepër. Nuk mund të jetë 2.500 euro, 2500 euro është në Vjenë”, – tha Soko.