Sociologu Gëzim Tushi në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News ka folur për situatën pandemike në vend.

Prej më shumë se një viti, jo vetëm vendi ynë por i gjithë globi po përballet me pandeminë e Covid-19.

Ai ka folur për problemet me të cilat po përballet shoqëria jonë dhe se si do të vazhdojë e gjithë kjo situatë.

Pyetje: Gjatë kësaj periudhe është rritur stresi, depresioni dhe dhuna në familje. Përse po ndodh kjo gjë?

Gëzim Tushi: Pandemia Covid-19 nuk ishte një ngjarje rastësore apo një ngjarje periferike nga pikëpamja sociale, politike, ekonomike, financiare, kulturore dhe psikologjike. Kjo pandemi është gjithëpërfshirëse dhe ka komponentë shumë dimensionalë me ndikime shumë të mëdha në jetën e shoqërisë së sotme dhe këto po i ndjejmë në mënyrë drastike.

Në fillim u mendua që pandemia do ishte kalimtare, do ishte e shpejtë, do prekte mosha të caktuara të popullsisë, kryesisht të moshuarit dhe do zgjaste shumë pak derisa të vinte pranvera, vera dhe më pas do dobësohej.

Këto tabu ranë të gjitha, pandemia do zgjasë dhe unë jam i bindur që jemi akoma në pjesën e butë të pandemisë, që do të thotë se nuk e kemi kapërcyer akoma pjesën agresive të saj.

Kjo vërtetohet edhe nga fakti që po flitet për mutacione të virusit bazë, si virusi britanik apo ai i Afrikës së Jugut, të cilët e agravojnë akoma më shumë situatën e pandemisë dhe nuk i dihet se cili do jetë fundi.

Pasiguria që lidhet me situatën pandemike ka krijuar një neurozë për shoqërinë tonë. Të gjithë janë të shqetësuar, ekzistencialisht të shqetësuar . po humbasim njerëzit tanë të dashur nga kjo pandemi dhe kjo nuk është një gjë e lehtë. Kjo kërkon një lloj të menduari ndryshe të situatës. Jeta shoqërore, jeta familjare, shtimi i divorceve, dhuna në familje janë probleme shqetësuese sepse në fund të fundit kemi të bëjmë me një operacion zinxhir i lidhur me njëri-tjetrin që jep impakte në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. “

Pyetje: Një tjetër fenomen që po përballet shoqëria jonë por më së shumti rinia është papunësia. Pra, sa i vështirë  është integrimi apo punësimi i të rinjve në këtë situatë kufizimesh ku ndodhemi ?

Gëzim Tushi:” Situata e punësimit në Shqipëri nuk ka qenë  e mirë as par pandemisë, megjithë premtimet dhe deklaratat publike të bëra që do të ketë përmirësime, do të ketë zbutje të papunësisë.

Pandemia është një goditje shokante për punësimin dhe ka shumë faktorë dhe komponentë socialë që kanë marrë goditje nga pandemia. Besoj që aspekti financiar dhe problemi i punësimit është bëtë jashtëzakonisht virulent dhe këtë e ndiejnë më shumë të rinjtë. Të gjithë ata që janë larguar janë të moshës 25-34 vjeç që po pësojnë goditjen më të madhe. Kjo papunësi kam përshtypjen që  do të thellohet nëse pandemia do të zgjerohet. Efektet e saj do të jenë jashtëzakonisht goditëse. Marrja e masave parandaluese, ndërhyrjet për të ulur papunësinë janë të domosdoshme në këto momente.