Në një lidhje direkte nga SHBA, analisti Ilir Demalia, përpos aktualitetit politik në Shqipëri, komentoi edhe atë në Shtetet e Bashkuara, që pas ngjarjeve në Kongres, ka marrë një rrjedhë tjetër.

I pyetur rreth një nisme të demokratëve për shkarkimin e presidentit në detyrë Donald Trump, Demalia u shpreh se, një gjë e tillë mund të mos arrihet, ndërsa shtoi se gjithçka bëhet për të mbajtur nën kontroll një Donald Trump tashmë të dalë jashtë kontrollit.

“Nuk e di a do të arrihet. Po në Kongres mund të kalojë se bëhet me procedura të përshpejtuara. Por nuk e di a mund të kalojë në Senat se, Mitch McConell, edhe nëse e bëjnë do të jetë data 19. Por kjo bëhet për shumë arsye. Nuk besoj se do të arrihet. Kjo bëhet vetëm për të kufizuar Donald Trump që tani është jashtë kontrollit.

Atij tashmë i është larguar i gjithë kabineti. Po japin dorëheqjen të gjithë njëri pas tjetrit për mënyrën se si po sillet ai. Është ky president që i ka kapërcyer linjën kushtetuese me nxitjen e protestuesve për të sulmuar Senatin. Vetëm kjo do të ishte mjaft.

Si ka mundësi? Presidenti i SHBA, që është mbrojtësi numër 1 i kushtetutës, mbrojtësi numër 1 i Amerikës, është njeriu që mbron Washingtonin, është nën hyqmin e tij, të drejtojë protestuesit e tu thotë “drejt Senatit” dhe “jam unë pas jush”?  Në një kohë kur vajza, djali, Rudy Giulliani dhe të gjithë të rreth të tij… Se janë të gjitha të regjistruara, të dokumentuara tani. Është thirrje për përmbysje të rendit kushtetues”, u shpreh ndër të tjera Ilir Demalia.

Në një letër drejtuar zv.presidentit Mike Pence, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kërkuan shkarkimin e parakohshëm të Trumpit nga qeveria e tij.

Presidenti që kishte humbur zgjedhjet kishte nxitur një kryengritje dhe “u përpoq të minonte demokracinë tonë“, shkruanin anëtarët demokratë të komisionit juridik.

Trump nuk është “mendërisht i shëndetshëm” dhe është i paaftë për të “përpunuar dhe pranuar” rezultatin e zgjedhjeve.

Procedura për shkarkimin e presidentit, e parashikuar në “amendamentin e 25-të” është e ndërlikuar – nëse do të fillojë vërtet, ajo mund të mos përfundojë përpara se të përfundojë mandati i Trumpit. Sepse vetëm një vendim i kabinetit nuk është i mjaftueshëm për largimin e përhershëm të presidentit.

Vërtetë që presidenti shkarkohet menjëherë nga detyra, po të dorëzojnë një deklaratë përkatëse në Kongres zëvendëspresidenti dhe kabineti. Por Presidenti mund t’i vërtetojë aftësitë e tij me një kundërdeklaratë, e cila menjëherë do ta rikthente atë në detyrë.

Në hapin tjetër, zëvendëspresidenti dhe kabineti duhet të deklarojnë edhe një herë paaftësinë e presidentit, e cila do të çonte sërish në shkarkimin e tij të përkohshëm nga detyra.

Kongresit do t’i duhej atëherë të votonte për një shkarkim të mundshëm përfundimtar brenda 21 ditësh. Për këtë do të nevojitej një shumicë prej dy të tretash.

/a.r,OraNews