I ftuar në “Tempora” nga Sonila Meço në RTV Ora, profesori Sherif Bundo tha se qeveria ka treguar një mungesë serioziteti në lidhje me tenderat e ushqimeve për tërmetin.

Sipas tij, çmimet e këtyre ushqimeve kanë qenë diku tek 20-30% më të shtrenjta se sa tregu me pakicë.

Sherif Bundo: Nuk mundet qeveria që të tregojë një mungesë serioziteti që ndihmat nga entitete të tjera, t’i përfshijë në ndihmat e ofruara nga strukturat shtetërore. Ne kemi nevojë për qeverinë sepse jetojmë në qeveri, e cila ushqehet nga taksat tona. Kjo situatë tregon një mungesë serioziteti dhe paaftësie.

Unë bëra një studim të vogël me studentët për të kontrolluar çmimet për t’i përballuar ato me realitetin. Më rezultoi se çmimet e përdorura nga tenderat e strukturave shtetërore, ishin më të larta se sa çmimet e shitjes me pakicë në dyqane. Çmimet janë diku 20-30% më të larta.

Kur bëhet fjalë për ndihma hiqet TVSH. Këtu bëhet fjalë për shitje me shumicë dhe duhet të kishte ulje çmimi. Në vlerësimin tim qeveria duhet të kishte qenë më e efektshme, nëse ajo do t’u kishte akorduar direkt paratë që t’i blinin direkt në dyqane vetë.