Kompania Kurum, e cila operon dhe në Shqipëri, akuzohet për mashtrim në Turqi. Sipas mediave vendase, edhe pse me humbje drejtuesit e kësaj sipërmarrjeje deklaronin fitime, duke arritur të përfitonin shuma të mëdha kredije nga bankat, deri në 500 milion euro.

Gjithashtu, dyshohet se përmes kompanisë së themeluar në Shqipëri, Kurum ka huazuar 210.3 milionë euro nga pesë banka ndërkombëtare.

Për kreun e konfindustrias Gjergj Buxhuku, kjo është një problematikë e cila transmetohet edhe në vendin tonë, pasi kapitali turk është i pranishëm në shumë sektorë në Shqipëri.

Gjergj Buxhuku: ”Shqipëria ka një marrëdhënie të ngushtë me Turqinë. Kapitali turk është i pranishëm në shumë sektorë strategjikë të Shqipërisë, në sistemin financiar, bankar, energjitik minierat, çeliku. Tregtinë e kemi mjaft të lidhur me Turqinë. Pra, është një parter shumë i rëndësishmi i joni. Çdo problematikë e Turqisë në një farë mënyre transmetohet edhe te ne, nëpërmjet mekanizmave tregtare dhe ekonomike. Aq më shumë pastaj kur bëhet fjalë për lajme shqetësuese për një kompani të madhe në vendin tonë, por edhe për Turqinë, shqetësime që vijnë nga mediat turke sepse këtu informacionet zyrtare pothuajse mungojnë. Kemi pasur rastin që të analizojmë se çfarë po ndodh.”

Në një lidhje përmes Skype për ”Ora News”, Buxhuku u shpreh se duhet të jemi të përgatitur, nëse rezulton i vërtetë fakti se gjysma e 500 milion eurove kredi, është marrë në Shqipëri.

Sipas tij, kjo çështje është shqetësuese për ekonominë dhe financat e vendit, dhe nuk mund të rrezikohet sistemi nga paaftësia ose korrpsioni i bankave kur japin kredi.

Buxhuku tha gjithashtu se nëse kreditë përqëndrohen në duart e disa kompanive dhe ato kolapsojnë, do të kolapsojë dhe sistemi ekonomik.

Gjergj Buxhuku: ”Është një problematikë dhe ne duhet të jemi të përgatitur sepse nëse është e vërtetë shifra që mbi gjysma e 500 milion euro të marrë nga kompania Holding Kurum në Turqi, janë marrë në Shqipëri, atëherë është shqetësuese për sistemin bankar, financiar, për ekonominë sepse bëhet fjalë për sektorë strategjikë të ekonomisë. Është një shqetësim që i tejkalon përmasat e një kompanie të vetme. Shqetësimi është shumë i madh, për të kuptuar se cili është roli i Bankës Qendore të Shqipërisë, por dhe institucioneve të tjera rregullatore, për të kuptuar se ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Kreditimi që u bëhet kompanive, duhet të kalojë në një përmirësim të dukshëm. Nuk mund të rrezikohet një sistem financiar, ose të ketë pasoja të rënda, vetëm se institucionet rregullatore, por qoftë edhe bankat e nivelit të dytë, janë të paafta, ose ka korrupsion në mënyrën se si shpërndahen këto kredi. Të mos përqëndrohen në duart e dy-tre kompanive pasi nëse kolapsojnë, kolapson edhe sistemi bashkë me to.”

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Renato Çaushi.

Lexo edhe: Kurum nën akuzë, mediat turke: Mashtroi bankat përmes manipulimit të bilanceve