Skandali me kredinë, "Iute Credit" i jep borxh të sëmurit të papunë

Skandali me kredinë, "Iute Credit" i jep borxh të

Rrushe Kolbaj, 60 vjeç, prej muajsh gjendet në një situatë të vështirë dhe pa një zgjidhje si pasojë e një kredie që djali i saj i sëmurë ka marrë nga një institucion financiar.

Me 21 shkurt 2020, djali i saj, i cili ka një dokument si i sëmurë, ka blerë një telefon që është financuar nga IuteCredit.

E ëma e Ermirit tregon se djali i saj është mashtruar, ndërsa për kredinë thotë se nuk ka pasur asnjë dijeni.

"Kam një çun të sëmurë 30 vjeç, është me aftësi të kufizuar.Një natë prej depresionit grisi rrobat dhe i ra letra. E lexova dhe pashë që aty është marrë një kredi. Të nesërmen e pyeta djalin dhe më tha se është në emër të tij. E shkrova emrin vet tha, ai nuk di të shkruajë emrin, një shkronjë këtu dhe një aty, do një letër sa tavolina."

60-vjeçarja shprehet se nuk ka mundësi të paguajë këstet që tashmë janë dyfishuar për shkak të kamatvonesave.

Nëna e djalit të sëmurë ngre dyshime te ky institucion sesi mund ti financojë kredi një personi që nuk është në marrëdhënie pune dhe pa i kërkuar një kartelë mjekësore pasi është diagnostikuar me çrregullim të personalitetit.

"Kërkoj të më ndihmojë dikush nëse ka mundësi, nëse nuk kanë të paktën të tjerët që janë në këtë gjendje të çunit tim të kërkohet një dokument më i plotë, pse të mos kërkohet një raport mjekësor, a je i aftë për ta paguar."

Por punonjësit e IuteCredit thonë se institucioni i tyre para se të miratojë një kredi kryen veprime duke rënë kështu në kundërshtim me atë çfarë është praktikuar në rastin konkret.

"Ne bëjmë verifikimet tona deri në njëfarë mënyre, por nuk të jap dot informacion".

60-vjeçarja kërkon zgjidhje të këtij problemi nga IuteCredit sa më parë dhe apelon për mospërsëritje të rasteve të tjera të ngjashme.

Vendi Ekonomi Lajme Lajmi i fundit Kronike skandali kredi Iute kredit rrushe kolbaj

EMISIONET