Ministria e Brendshme planifikon të shtyjë afatin e Operacionit Forca e Ligjit duke qenë se 31 dhjetori ishte afati i fundit për zbatimin e aktit normative. Juristët japin alarmin se mungesa e rezultateve dhe tejzgjatja e procedurave të iniciuara nga policia nuk janë argument për shtyrjen e afatit të këtij ligji që në vetvete përbën cënim të të drejtave të njeriut dhe si i tillë mund të zbatohej vetëm përkohësisht në kushtet e një situate të ngutshme.

Mungesa e rezulateve dhe zgjatja në kohë e proceseve përtej afatit të parashikuar duket se po detyron Ministrinë e Brendshme të kërkojë një shtyrje të efekteve të Operacionit Forca e Ligjit përtej kufirit të vendosur më 31 dhjetor.

Aktin normativ Ministria mendon ta shtyjë deri sa prokuroria dhe gjykata të marrin vendime për gjithë dosjet e dërguara nga agjentët e OFL-së.

Por juristët shprehen se të gjitha procedurat e lidhura me OFL duhet të ndalojnë duke qenë se akti normativ është miratuar në kushtet e emergjencës.

Braho: Nëse i referohemi pjesës së shfuqizimit, pjesës që i humb efektet akti normativ, supozohet që çdo procedurë nuk mund të vijojë në çfarëdo faze që të jetë.

Sipas juristit, Ledio Braho, akti normativ është i përcaktuar qartë dhe nuk ka efekt më 1 janar, ndaj shtyrja mund të përdoret për qëllime të tjera në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Braho: Nuk mundet që me një operacion të tillë të hysh edhe në fushatë zgjedhore për 2021, një operacion që ka shumë të panjohura, shumë të errëta, ky operacion mund të përdoret dhe për qëllime elektorale.

Një tjetër problematikë sipas juristëve është dhe fakti që aktiviteti i OFL bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe si i tillë nuk mund të zgjatet.

Braho: Patjetër që kemi një cënim sa i përket të drejtave të palëve të përfshira në këtë procedurë. Nëse kjo situatë do të vazhdojë pambarimisht në një afat të pacaktuar dhe të zgjatur tej asaj që është parashikuar patjetër që do të vazhdojnë shkeljet e këtyre të drejtave.

Ndërhyrje ndaj paketës ligjore të OFL kërkojnë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme, të cilët i kanë dërguar Ministrisë së sugjerimin që kërkesave për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të shqyrtohen edhe në prokuroritë dhe gjykatat e rretheve dhe jo vetëm në SPAK.

Deri më tani nga OFL janë dërguar në SPAK 1500 pasuri, ndërsa gjykata ka konfiskuar 415 prej tyre, të cilat janë prona të luajtshme dhe paluajtshme dhe llogari bankare.