Situata pas zgjedhjeve në Mal të Zi

Situata pas zgjedhjeve në Mal të Zi

Koalicionet kryesore opozitare në Malin e Zi kanë rënë dakord t'i japin fund pushtetit 30-vjeçar të partisë së presidentit Milo Gjukanoviç, duke prezantuar parimet e qeverisë së tyre.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Gjukanoviçi mori  40 nga 81 mandatet së bashku me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë.

Ndërsa opozita serbe dhe aleatët siguruan më shumë se gjysmën e mandateve apo  41 gjithsej.

Me një deklaratë të përbashkët, pretendentët e rinj të fronit politik thanë të martën se qeveria e tyre do të përbëhet nga ekspertë, do të jetë demokratike dhe do të zbatojë të gjitha reformat për të mundësuar anëtarësimin sa më të shpejt  të vendit në Bashkimin Europian.

Opozita konfirmoi se qeveria e re do të jetë gjithëpërfshirëse dhe ndëretnike, dhe si angazhim të vetin do të ketë edhe rishikimin e Ligjit për Liritë Fetare dhe Kishën Ortodokse serbe.

Fronti Demokratik, parti udhëheqëse e koalicionit "Për ardhmërinë e Malit të Zi", mbron lidhje të forta me Serbinë dhe është e përkushtuar ndaj Rusisë.

Krahasuar me zgjedhjet e 2016-ës, partia e Gjukanoviçit më 30 gusht doli më e dobët për nga mbështetja popullore.

Opinionistët mendojnë se kjo erdhi më së pari prej vendimit të tij të vitit të shkuar për të dalë kundër Kishës Ortodokse serbe, por edhe prej lodhjes nga pushteti që ai e mban prej viteve 1990, dhe që në këto dekada nuk i ka shpëtuar akuzave për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar.

Misioni vëzhgues i OSBE-së vuri në dukje të hënën se ndërsa zgjedhjet ishin konkurruese, partia e tij përfitoi padrejtësisht edhe përmes formave të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës dhe burimeve shtetërore.

Ndërkohë minoriteti shqiptar në Malin e Zi pritet të përfaqësohet këtë vit nga dy deputetë.

Seanca e parë e parlamentit të sapozgjedhur pritet të mbahet jo më vonë se 15 ditë pas njoftimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Rajoni Lajme Mali i Zi situata Mali i Zi pas zgjedhjeve

EMISIONET