Rreth dy orë pas ngjarjes tragjike te Infektivi në QSUT, ku një 69-vjeçar i infektuar me Covid-19 tentoi vetëvrasjen, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dalë në një komunikim me mediat përmes Facebook-ut.

Konferencën për mediat, Manastirliu e nisi me një përgjigje për Opozitën, e cila prej kohësh akuzon qeverinë se po keqmenaxhon situatën me pandeminë.

Ogerta Manastirliu: “Kujt i shërben nxirja dhe shtrembërimi i realitetit? Një realitet që është i vështirë si për ne, si për gjithë botën mbarë. Por ky realitet nuk është ashtu si do ta shesë opozita. Sot në vende si Franca, Çekia, Polonia është vënë alarmi për mbingarkesë në sistemin spitalor. A bëhen vallë në këto vende konferenca shtypi ku i bëhet thirrje qytetarëve të mos kenë besim te autoritetet shëndetësore apo mjekët? A keni parë?

Në situatë si kjo e pandemisë, që ndodhin një herë në 100 vjet rruga e duhur për të mbrojtur shëndetin e njerëzve është bashkëpunimi dhe jo shfrytëzimi i saj për të fituar ndonjë pikë“.

Sipas ministres, mjekët dhe infermierët meritojnë mirënjohje për punën e palodhur që po bëjnë.