Një 21-vjeçar shqiptar, me vendbanim në Casaluce, u arrestua nga Policia në Caserta.

Efektivët italianë e kanë patur të vështirë ndalimin e shqiptarit, ndërsa nuk kanë munguar edhe përplasjet me armë mes palëve.

Ndjekja përfundoi kur makina me të cilën udhëtonin dy persona, përfshirë 21-vjeçarin, u përplas me atë të policisë.

Gjithçka filloi kur një shtetas shqiptar u paraqit mbrëmjen e djeshme në stacionin policor Aversa duke raportuar se ishte kërcënuar nga bashkatdhetari i tij më shumë se një herë ndërsa ishte në një piceri në Frignano.

I njëjti gjithashtu raportoi se, afër shtëpisë së tij, një makinë ishte vërejtur me dy shqiptarë në bord dhe se ata, më pas kaluan nëpër shtëpi, e kishin kërkuar atë.

Oficerët e policisë filluan hetime të shpejta dhe arritën të gjenin makinën e raportuar në komunën e Casaluce.

Të dy personat pasi panë patrullën e policisë, tentuan të largohen çka solli edhe ndjekjen e tyre.

 Sapo u futën në komunën e Teverola, nga makina me të cilën udhëtonin shqiptarët u qëllua në drejtim të policisë, e cila u përgjigj.

Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar mes palëve, ndërsa shqiptari dhe miku i tij përfunduan në pranga, shkruajnë mediat italiane.