Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, reagon pas tweet-it të kryeministrit Avdullah Hoti, i cili lajmëroi për shtyrje të mbledhjes së përbashkët të qeverive Shqipëri-Kosovë.

Sipas Selimit, mbledhja që do të mbahet në Shkodër është në interes të të gjithë qytetarëve.

“Si drejtues i Grupit parlamentar të LV, kërkues i raportimit të Hotit në Kuvend, publikisht e njoftojmë Hotin që mos të tërhiqet nga mbledhja me Qeverinë e Shqipërisë të premten me 25 shtator”, shkruan ai në Facebook.

Më herët, përmes një postimi në Twitter, Hoti shkruante se, për shkak të seancës parlamentare të së premtes, mbledhja e dy qeverive është shtyrë për në 2 tetor.

Sipas tij, për këtë vendim ai kishte marrë edhe pëlqimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.