Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shtyn për herë të dytë afatin për dorëzimin e ofertave për koncesionin e segmentit rrugor Milot-Fier.

Më herët kompanitë e interesuara kishin kohë për të dorëzuar dokumentet deri më 28 tetor, por tashmë në një vendim të papritur kompanive u është lënë mundësia deri në datën 9 nëntor.

Më herët ishte përcaktuar që operatori ekonomik duhet të kishte eksperiencë në ndërtimin e urave, ku në gjashtë vitet e fundit të kishte realizuar të paktën 8 projekte ku të paktën një prej tyre të jetë më e madhe se 400 metra. Por tashmë në këtë kriter janë bërë lëshime.

I njëjti veprim është vendosur dhe në kriteretmbi tunelet, betonin, asfaltin , rrugët dhe gërmimet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e hapi procedurën për rrugën Milot -Fier në muajin korrik të këtij viti.

Siaps dokumenteve të tenderit investitori do të jetë në gjendje të arkëtojë 4 miliardë euro përgjatë 35 viteve të kontratës koncesionare duke arkëtuar një tarifë bazë prej 7.5 eurosh për 100 kilometra.

Vlerësimi i dhënë nga qeveria tregon se në vitin e parë supozohet që të ardhurat të jenë 60 milionë euro ndërsa në vitin e fundit të koncesionit, në vitin 2055, të ardhurat supozohet se do të arrijnë në 187 milionë euro.