Sulmi në hotelin e Tushemishtit për të vrarë djalin e pronarit, në pranga ekzekutori dhe 2 organizatorët

Shkon në 7 numri i të arrestuarve për sulmin në hotel Voloreka në Tushemisht të Pogradecit. Në kuadër të operacionit të koduar “Driloni” është finalizuar faza e dyte duke vënë në pranga organizatorin tjetër të ngjarjes, ekzekutorin dhe një bashkëpunëtor.

 Sipas policisë “Ekzekutori i ngjarjes, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në Lushnjë, si dhe për vjedhjen me dhunë të një automjeti në Korçë.”

 Në fazën e parë u ndaluan 5 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Në fazën e dytë u arrestuan

Meardi Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës);

Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në Lushnjë (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës);

Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale "Armëmbajtja pa leje").

Shërbimet e Forcave Operacionale kanë bërë kapjen në flagrancë të tyre në zonën e Linzës, Tiranë, në garazhin e shtetasit Ervin Kalaja, i cili dyshohet se ka përkrahur pas kryerjes së krimit, shtetasin Meardi Berberi, duke i mundësuar kushte dhe mjete për jetesë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, këtyre shtetasve iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 thikë, krehra, sasi municioni luftarak, të cilat i posedonin pa leje, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, sasi monetare në lek dhe euro.

Gjithashtu janë sekuestruar pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit që dyshohet se janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, të cilat do dërgohen për ekzaminim ne laboratorin shkencor.

U tentua të vritej djali I pronarit të hotelit

 Shtetasi Meardi Berberi, në bashkëpunim me shtetasin Ilir Berberi (i ndaluar), të dy në rolin e organizatorëve, si edhe shtetasi Anterio Kaloshi në rolin e ekzekutorit, më datë 08.08.2020, dyshohet se kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, djalin e pronarit të hotelit, shtetasin J. M., ku si pasojë e të shtënave me armë, janë dëmtuar godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.

 Gjithashtu ndaj shtetasit Meardi Berberi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Kanosja për të mos kallëzuar", "Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik" dhe "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, kryer në bashkëpunim", në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3, përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe të IEVP-së gjatë kryerjes së detyrës.

Ndërsa ndaj shtetasit Anterio Kaloshi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim" në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 07.03.2018, në lagjen nr. 1, në Korçë, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë kanë vjedhur me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, mjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit E. G.

 Gjithashtu ndaj Anterio Kaloshit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, "Armëmbajtja pa leje" dhe "Prishja e qetësisë publike" në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 11.10.2017, në lagjen "Loni Dhano" Lushnjë, ku dyshohet se Kaloshi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri tip automatik shtetasit Z. L., dhe J. H., si edhe kanë plagosur shtetasit M. Xh. dhe B. T.

 Nga ana e Policisë po vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër të shpallur në kërkim B. S., në kuadër të këtij operacioni.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

https://youtu.be/_xkEE4CbQPU
https://youtu.be/ssxeKA_yyp8

Vendi Lajme Lajmi i fundit Aktualitet sulmi ne tushemisht

EMISIONET