Kryeministri Edi Rama doli sot në një komunikim me mediat, me ministrat Ahmetaj dhe Denaj në krah, për të treguar ato që ai i quan suksese të qeverisjes së tij.

Sipas Ramës, nga korriku me hyrjen në fuqi të vendimit biznesi i vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë të reja nuk paguan tatim fitim.

Po ashtu ai tha se bizneset me nën 10 milionë lekë te reja xhiro vjetore, nuk do të ketë as tatim fitim dhe as TVSH, dhe tashmë një shqiptar mund ta nisë nga zero dhe jo me taksa një biznes të ri të vogël.

Rama e cilësoi këtë masë agresive në mbështetje të biznesit të vogël, dhe unikale në Rajon.

Por ndryshe mendon ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila publikon të dhëna të tjera.

Sipas saj, në këto 7 vite, 97% e shqiptarëve kanë paguar 4.2 miliardë euro taksa të rritura, ndërsa investimet e huaja në vetëm 6 muajt e fundit kanë rënë me 100 milionë euro.

Ish-deputetja shton se, çdo ditë janë mbyllur 50 biznese dhe vetëm gjatë pandemisë 30 000 biznese kanë deklaruar statusin inaktiv.

“Tashmë shqiptarët e kanë të qartë zgjedhjen për ofertën ekonomike dhe zgjidhjen për krizën në vend. Ne kemi ofertën tonë konkrete që nxit konsumin, rrit të ardhurat dhe prodhon një shtresë të mesme. Ofertën që mundëson një ekonomi prodhuese dhe në shërbim të qytetarit”, mbyll reagimin e saj Jorida Tabaku.

Reagimi i plotë i Tabakut:

Bashkë me dy ministra Finance doli për të folur për fushën në të cilën ka dështuar më shumë: EKONOMINË.

Në këto 7 vite:

–        97% e shqiptarëve kanë paguar 4,2 mld euro taksa të rritura

–        Investimet e huaja kanë rënë nivele minimale dhe vetëm 6 muaj e fundit kanë rënë me 100 mln euro

–        Çdo ditë janë mbyllur 50 biznese dhe vetëm gjatë pandemisë 30 000 biznese kanë deklaruar statusin inaktiv.

–           Shqipëria ka rënie të prodhimit industrial me 11.2%

–           Shqiptarët besojnë gjithnjë e më pak se ekonomia do të ecë pozitivisht në vitet në vijim. Besimi në ekonomi ka rënë me 50.2 pikë minimum historic qe kur eshte krijuar treguesi.

–        Korrupsioni ka arritur nivelet më të larta me 7,2 mld euro të certifikuara nga KLSH.

–        Borxhi po arrin në nivelin 90% së bashku me faturën korruptive të koncesioneve.

–           155 mln euro vendime nga arbitrazhi, dëme te shkaktuara nga papërgjegjshmeria dhe interesat personale dhe qe do i paguajne shqiptaret nga xhepat e tyre.

Dhe çfarë bën sot Rama? Riciklon figurat dhe premtimet e vjetra për ulje taksash!

Ai vërtet i mendon shqiptarët me memorie të shkurtër por gabohet.

Tashmë shqiptarët e kanë të qartë zgjedhjen për ofertën ekonomike dhe zgjidhjen për krizën në vend.

Ne nuk bejmë propagandë. Ne flasim me fakte. Ne kemi ofertën tonë konkrete që nxit konsumin, rrit të ardhurat dhe prodhon një shtresë të mesme. Ofertën që mundëson një ekonomi prodhuese dhe në shërbim të qytetarit. Ne ofrojmë mundësinë që taksat e shqiptarëve mos të vidhen nga koncesionet dhe PPP-të. Shqipëria në Punë është vizioni që na drejton dhe frymëzon për të qenë konkurues jo me një forcë politike anti-biznes por të konkurueshëm me rajonin.