Shqiptarët po përfitojnë nga pandemia dhe mbajtja e detyruar e maskave për të kryer ndërhyrje estetike pa u kuptuar.

Nevoja për të punuar e studiuar nga shtëpia e për t’u dukur bukur para kamerës së kompjuterit, ka sjellë një bum kërkesash në klinikat private.

“Nevoja për t’u paraqitur më mirë te të tjerët dhe për t’u ndjerë më mirë me veten ka shtuar kërkesat e individëve për t’iu drejtuar kirurgjisë plastike apo ndërhyrjeve, qoftë edhe minimale,” tha psikologia Jorida Zegali.

Doktorët thonë se operacionet në këtë periudhë janë fokusuar më së shumti te modelimi i fytyrës, volumi i buzëve por edhe te eleminimi i depozitave dhjamore, përderisa obeziteti shihet si faktor risku për ata që preken nga Covid-19.

Ndërsa ndërhyrjet estetike kanë si arsye qenien më të pashëm, ndonjëherë ato janë të nevojshme.

“Para 3 viteve e kam bërë hundën operacion në Kosovë. Kisha shumë probleme më frymëmarrjen, dhimbje, dhe s’kam qenë mire psikologjisht,” thotë pacientja Linda Krasniqi.

Sektori i kozmetikës është rregulluar me një ligj të vitit 2017, por ekspertët ngrenë alarmin për shumë qendra bukurie të palicensuara, të cilat konkurrojnë me çmime, por cedojnë nga ana profesionale.

“Ka edhe raste të cilat nuk janë klinika të licensuara, po janë thjesht qendra të cilat aplikojnë dhe procedura të mjekësisë estetike dhe aparatura të cilat duhet të aplikohen vetëm nga mjekë specialistë të licensuar,” tha Dr.Brunilda Bardhi.

“Dhe si rezultat i një media të shfrenuar, publiciteti të shfrenuar në media sociale pacienti është i ekspozuar ndaj shumë rreziqeve në Shqipëri, këtu në këtë periudhë pandemie,” tha Monika Fida, pedagoge.

Sondazhet e shoqatës së dermatologëve dhe kozmetistëve shqiptarë tregojnë se rreth 70 sallone bukurie në Tiranë nuk kanë personel të kualifikuar për ndërhyrjet, ndërsa 30 për qind e pacientëve që frekuentojnë qendrat e mëdha shkojnë atje për të korrigjuar gabimet e shkaktuara prej tyre.