Policia ka ndaluar 16 të dyshuar si pjestarë të tifogrupit “Komitët” për gjuhë të urrejtjes e që kanë lidhje me dy rastet e fundit me thirrje antishqiptare.

Sipas asaj që njofton Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike po heton penalisht të dyshuarit në rastin e djeshëm në Gjorçe Petrov dhe të një javë më parë në qendër të kryeqytetit.

Tifo-grupi maqedonas “Komiti” me thirrjen e zakonshme “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” provokoi një kolonë dasmorësh shqiptarë, të cilët kalonin me vetura dhe motoçikleta në mesditën e të shtunës në vendbanimin Gjorçe Petrov.

“Janë vërtetuar identitetet e pjesëmarrësve në këto raste, janë thirrur në bisedë informative, janë kryer ato intervistimet me ta. Konkretisht për rastin e djeshëm, janë ndaluar 16 persona dhe po ndërmerren të gjitha veprimet shtesë me qëllim që të zbardhet rasti. MPB ka zero tolerancë për veprime të këtilla, kështu që do të punohet në mënyrë intensive deri sa të sanksionohen të njëjtit”, tha Suzana Praniq, Zëdhënëse e MPB-së, citon Alsat-M.

Ekspertët e sigurisë bëjnë thirrje për reagime të shpejta të organeve të rendit dhe hetuesi me qëllim të mos eskalimit të provokimeve të tilla në incidente ndër etnike.

“Vet aparati shtetëror i Maqedonisë ku bëjnë pjesë në organet policore të prokurorisë dhe gjyqësorit në këtë rast e bartin me vete mentalitetin e vjetër se çdo veprim që bëjnë maqedonasit është i lejuar. Kjo është shumë tragjike, është vepër penale drejtuar ndaj gjithë komunitetit shqiptarë dhe është e pa tolerueshme … sepse kur pala tjetër shfaq urrejtje shkaktohen viktima. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për rast individual sepse kemi cenim të dinjitetit, por është atak, përbuzje dhe nënçmim etnik”, tha Bashkim Selmani, Ekspert i Sigurisë.

Reagimet ishin të shumta, si nga opinioni ashtu edhe nga opozita shqiptare.

 “Sjelljet e Komitëve burimin e kanë tek sistemi, që u jep fuqi dhe përkrahje, pavarësisht kush është në pushtet. Për sa kohë sistemi nuk i dërgon prapa grillave këto huligan, fenomene te këtilla s’do të kenë të ndalur!”, u shpreh kreu i ASH, Ziadin Çela.

Sipas Kodit Penal në Maqedoninë e Veriut, gjuha e urrejtjes është e dënueshme nga një deri në pesë vite burg.