Perfekti i Lezhës Gjok Jaku tregon problemet në infrastrukturën ujore: E trashëguar që prej monizmit, shteti shqiptar.

Në një lidhje Skype për Ora News, prefekti i Qarkut të Lezhës, Gjok Jaku, tregoi mungesat e infrastrukturës ujore, e cila sipas tij është trashëguar që nga koha e monizmit.

Ai thotë se për të ndërhyrë në këtë sektor nevojiten para, të cilat sipas tij buxheti i shtetit shqiptar nuk është në gjendje ti përballojë.

Gjok Jaku: Jo unë në këtë rast për sistemin e ujitjes-kullimit nuk ia vë fajin aspak sistemit të kaluar. Përveç ndërhyrjes dhe rritjes së kapaciteteve të hidrovoreve, në kuptimin e infrastrukturës ujore nuk kemi asnjë lloj përmirësimi. Mbajmë në gatishmëri vetëm atë rrjet që kemi trashëguar. Kushdo që heziton të thotë ndonjë fjalë me konotacion pozitiv për sistemin e shkuar, në drejtim të bujqësisë besoj se gabojnë. Unë nuk jam nga ata që hezitoj të them që në trashëgojmë kryekëput vetëm sistemin ujor, të kullimit apo vaditjes vetëm sistemin monist.

Gazetarja: Përse nuk e ndryshoni?

Gjok Jaku: Jo është një proces që e para njëherë kërkon specialistë dhe kapacitete, që në nivel qarku nuk i kemi, pasi ai rrjet është ngritur në vitet 50-60 dhe për faktin që reziston për 70 vite të tjera me probleme sigurisht, të mos harrojmë që popullimi i fushave, apo tokave bujqësore, ndërtimeve informale, degradimi në kohë sigurisht e ka vendosur në vështirësi dhe ka probleme. Ndërhyrja sot për një rrjet të ri infrastrukturorë për ujin, kërkon investime për të cilat buxheti i shtetit shqiptar nuk i përballon dot edhe në buxhetin e 10 viteve.