Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka pritur Ministrin e Brendshëm të Suedisë, Mikael Damberg.

Fokusi i takimi ka qenë në forcimin e bashkëpunimit midis policisë së dy shteteve.

Ministri Damberg ka vlerësuar bashkëpunimin dhe ka mirëpritur propozimin e Drejtor Veliut për ta shtrirë bashkëpunimin në hetime të përbashkëta për individë dhe grupe që merren me krim të organizuar.

“Ai ka theksuar se pavarësisht se krimi në Suedi është në ulje po shtohen kapacitetet policore për të luftuar grupet kriminale dhe sekuestruar drogën e armët që vijnë nga vendet e tjera”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i ka treguar z. Damberg mënyrën e strukturimit dhe të funksionimit të Policisë së Shtetit shqiptar, si dhe ka cekur edhe punën e kryer nga OFL përgjatë kësaj kohe.

Gjithashtu ka siguruar Ministrin e Brendshëm të Suedisë dhe përfaqësuesit e ambasadës suedeze në Tiranë se Policia e Shtetit është e vendosur për të  punuar së bashku me partnerët dhe për të mbështetur çdo iniciativë e veprim që i shërben rritjes së efikasitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.