Shpresë për Skënderbeun. Ndoshta duket e pabesueshme, por klubi korçar mund të shpëtojë të ardhmen pikërisht pas një vendimi që pritet të marrë UEFA.

Dënimi i Skënderbeut me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane dhe 1 milion euro gjobë u lanë në fuqi nga Gjykata Federale e Zvicrës, por “shpresa vdes e fundit”.

Burime për “Panorama Sport” brenda klubit korçar tregojnë edhe arsyen e fortë që detyroi presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, për të mos ndryshuar emrin e skuadrës, në mënyrë që ta niste gjithçka nga e para. Sytë e korçarëve për të shpresuar tashmë janë pikërisht nga UEFA, pasi mësohet se do të kërkohet një amnisti dhe plani tashmë është i qartë.

Nuk është thjesht një hipotezë, pasi burime të mirinformuara tregojnë se për këtë po lobon edhe vetë FSHF.

Më konkretisht, më 2 mars të vitit 2021, UEFA organizon në Minsk të Bjellorusisë kongresin e 45-të. Shpesh qeveria e futbollit europian, kur ka pasur data jubilare në kongreset e ndryshme, ka shqyrtuar kërkesa të çdo natyre për amnisti. Zakonisht këto janë parë sa herë UEFA ka qenë në prag të zgjedhjeve për presidentin e ri.

Në këto kushte, duke pasur parasysh faktin se 2021-shi e fut Skënderbeun në vitin e pestë që prej marrjes së dënimit, paçka se sportivisht ka shlyer vetëm 3 nga 10 vite, do të dërgohet një shkresë e përpiluar në atë mënyrë që mund të bindë Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.

Natyrisht një prej anëtarëve të tij është edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë dhe në klubin korçar janë sërish me shpresa, edhe pse këtë herë sytë janë as më pak e as më shumë, por nga organizmi që i fundosi me dënimin.

VENDIMI 

Pas lënies në fuqi të vendimit nga Gjykata Federale e Zvicrës, drejtuesit e klubit korçar u mblodhën për të vendosur të ardhmen. Presidenti Takaj dhe kryebashkiaku I Korçës Sotiraq Filo kishin disa variante në tavolinë, teksa më i mundshmi ishte ai i kthimit të Maliqit në Skënderbeun e ri e më pas ngjitjen në Superiore duke ndryshuar emrin.

Në këto kushte, klubi aktual shkrihej dhe humbiste, përveç koeficientit në Europë, por edhe nuk do të njiheshin më pas me emrin e klubit të ri, titujt e fituar.

Më pas në skenë doli varianti i UEFA-s dhe u vendos që Skënderbeu aktual të vazhdojë kampionatin normalisht.