I ftuar në RTV Ora, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani tha se në vendin tonë shkrihen gjykatat shkrihen dhe ndërkombëtarët duartrokasin.

Për Manjanin një vend që nuk ka gjykata nuk është shtet, por vetëm pushtet.

Ylli Manjani: Çfarë është ky eksperiment, shkrihet gjykata, duartrokitet nga ndërkombëtarët?! Ky është një budallallëk! Faleminderit për ndihmën dhe lekët që vetë i japin e i marrin. Ka 3 vite vendi pa gjykatë kushtetuese. Ka 4 vite pa Gjykatë të Lartë, prandaj bën qejf qeveria. U mbyll edhe gjykata e apelit. Pa apelin nuk ka gjyqe më. Një shtet pa gjykata nuk është më shtet, pushtet po. Ky është një shtet pa komandë, i degjeneruar komplet, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat marrin rrogën kot se e kanë shkrirë shtetin. Të gjithë kanë bërë një krim të madh që është shkatërrimi i shteti. Është thënë që shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet dhe ja ku jemi në vitin 2020, për turp e faqe të zezë. Të dalim të bëjmë shqiponjën si laraska dhe ta quajmë veten shtetar.

Manjani tha se Rama nuk do të ngrejë Gjykatën Kushtetuese pasi është në komandë.

Ylli Manjani: Rama nuk do të ngrejë Gjykatë Kushtetuese se ai është në komandë, vjen edhe të merr pronën, sidomos kur duartrokitet nga ndërkombëtarët. S’ka pse krijon Gjykatën Kushtetuese. Sa kohë do të jetë kjo klimë dhe ky pushtet, nuk ka pse ta bëjë këtë gjë. Sfida e radhës është bërja e shtetit shqiptar në 25 prill. Ekonomia bëhet, se shqiptarët janë vitalë, lëri të lirë, ky është ligji i parë i ekonomisë. Këtu s’ka siguri juridike.

Edhe Kodi Zgjedhor do të shkatërrohet tani. Rama nuk hap listat do të heqë koalicionet. Tani mendon se duke përçarë kundërshtarët mendon se do të shkojë drejt formulës së vitit 2017. Ai do që edhe me më pak vota se në vitin 2017 të marrë më shumë mandate.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti A. Kurti