Apartamenti në katin e katërt të këtij pallati 5 katësh është përfshirë nga flakët këtë të hënë në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Si pasojë e flakëve e gjithë banesa është shkrumbuar, ndërsa dëme janë shkaktuar dhe tek hyrjet e tjera të pallatit. Sipas policisë shkak i zjarrit është rrjedhja e bombolës së gazit e cila ishte vendosur në ballkon.

Në momentin e zjarrit nuk ka patur familjarë brenda, ndërsa fqinjët e tjerë kanë njoftuar menjëherë ekipin zjarrfikës. Për shkak të rrugicave të ngushta ekipi i shpëtimit është detyruar të zbarkojë nga një biznes para pallatit për të bërë shuarjen e flakëve.

Një grup ekspertësh nga policia, zjarrfikësit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial po kryejnë verifikime për kushtet që ka patur bombola dhe nëse i plotëson kriteret nga pika që është mbushur.

Ky është rasti i dytë që një objekt përfshihet nga flakët pasi dhe një lokal në zonën e ish bllokut u dogj nga zjarri. Edhe në këtë rast kishte vetëm dëme materiale