Dita e sotme, 11 janar 2021 shënon ditën e lindjes së aktores së madhe shkodrane Zyliha Miloti.

Me një  eksperiencë të gjatë prej 61 vitesh duke ndërtuar qindra role, Zyliha Miloti ka rrëmbyer zemrat dhe duartrokitjet e spektatorëve në mbarë Shqipërinë.

Miloti feston sot 75 vjetorin e lindjes dhe një urim i veçantë nga skena ku u rrit përgjatë gjithë jetës, si ajo e Teatrit “Migjeni” nuk mund të mungonte.

“Sot, me 11 janar 2021, e veçanta, shkolla simbol në krijimin e karaktereve, ajo që në moshën 14 vjeçare, për 61 vite ka krijuar me qindra e qindra role, ajo që vazhdon të rrok dashurinë dhe duartrokitjet e spektatorit, ajo që nuk njeh pleqëri, aktorja e shquar e skenës shkodrane dhe shqiptare, Mjeshtria e Madhe, Zyliha Miloti, feston 75 vjetorin e lindjes.

Edhe 100 vite plot shëndet e sukses!

Nana Zyl, ne të gjithë të duam fort!

Më poshtë do të shihni një album fotografik të disa roleve të mjeshtres ndër vite”, shkruhet në faqen e Teatrit “Migjeni” teksa kanë bashkangjitur edhe një fotogaleri ndër vite të aktores gjatë roleve të saj.

Zyliha Miloti ka realizuar më shumë se 250 premiera shfaqjeje, ndërsa njihet si një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar.